Kontraktorët e KEDS-it dëmtojnë gypin e ujësjellësit në rrugën “Haxhi Zeka”

Banorët në rrugën “Haxhi Zeka”, në Prishtinë kanë mbetur pa ujë të pijshëm.

Sipas njoftimit të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, kjo ka ndodhur për shkak të një dëmtimi të gypit.

Sipas kompanisë, shkaktar i këtij dëmtimi janë kontraktorët e KEDS-it.

“Të nderuar konsumatorë të rrugës ” Haxhi Zeka” në Prishtinë, ju njoftojmë me arsyen e mungesës së ujit të pijshëm në zonën tuaj dhe përreth. Kontraktorë të KEDS-it në orët e pasdites së sotme, kanë dëmtuar gypin e ujit në këtë rrugë”, thuhet në njoftimin e KRU.

Sipas kompanisë, kontaktorët e KEDS nuk e kanë sanuar dëmin që kanë shkaktuar.

“Andaj, ne tashmë u detyruam të njoftojmë edhe Inpekcionin e Komunës së Prishtinës e në të njëjtën kohë ekipet e operimit dhe mirëmbajtjes së KRU” Prishtina” tashmë janë në vendin e ngjarjes për të sanuar atë”, thuhet në njoftim.

Por, sipas KRU, sesa do zgjasë sanimi varet nga natyra e dëmtimit nga ana e kontraktorëve të KEDS.

KRU ka kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve të kësaj lagje.