Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kontraktohen mbi 34,600 euro për pakot e vendvotimeve - KQZ vonoi njoftimin për nënshkrimin e Kontratës

Mbi 34,600 euro Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, e-KQZ kontraktoi për t’u furnizuar me pako për vendvotime për Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025. Kontrata u nënshkrua më 28.10.2024, mirëpo KQZ-së iu dashtë më shumë se dy muaj të përgatisë dhe të publikojë njoftimin për nënshkrimin e saj.

KQZ njoftimin për nënshkrimin e Kontratës e kishte paraqitur në E-prokurim më 10.01.2025, ndërsa në këtë platformë elektronike të prokurimit u publikua më 13.01.2025.

Ndryshe, me Ligjin për Prokurimin Publik, në Nenin 41/A, thuhet, po citoj: „Autoriteti i tillë kontraktues brenda dy (2) ditëve pas nënshkrimit të Kontratës së tillë do të përgatisë njoftimin për nënshkrimin e Kontratës, në gjuhët e cekura në Nenin 13 të këtij Ligji…”.

Kjo çështje është rregulluar edhe me Rregulloren e Prokurimit Publik në Kosovë, përkatësisht në Nenin 45.35.3, ku thuhet se një Kontratë publike ka hyrë në fuqi. Zyrtari i Prokurimit brenda dy ditëve pas nënshkrimit të Kontratës së tillë do të përgatisë njoftimin për nënshkrimin e Kontratës, duke përdorur Formularin përkatës.

Lidhur me këtë çështje KALLXO.com ka provuar të marrë përgjigje nga KQZ, mirëpo deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk kemi pranuar përgjigje.

Nëpërmjet Kontratës në vlerë 34,633 euro blihen sasi me nga 9,000 copë lapsa shkollorë, mprehëse lapsi, vizore, gërshërë, markera të zi, post notes, letra higjienike, spango-konop rollne.

Njashtu blihen edhe 90,000 copë kimika të kaltër dhe 18,000 qese të plastikës për paketim.

Për këtë furnizim KQZ kishte përdorur procedurën e hapur të prokurimit, me kriter për dhënie të Kontratës – çmimi më i ulët.

Rikujtojmë se Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës pritet të mbahen më 09 shkurt 2025.

Për më shumë artikuj, për Zgjedhjet në Kosovë, klikoni këtu.