Kontrabandonte mallra me kamionin pa targa, i dyshuari lirohet në procedurë të rregullt

Një person është ndaluar nga policia, përderisa ishte duke vozitur një automjet transportues (kamion) pa targa. Në të, ai kishte të ngarkuara edhe mallra të kontrabanduara, meqë për to nuk posedonte dokumentacionin përkatës.

“Gjatë kontrollit është gjetur se i dyshuari transportonte mallra komerciale pa dokumentacion të rregullt përcjellës”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Rasti ka ndodhur pasditen e djeshme në fshatin Sllatinë, të Gjilanit.

Me vendim të prokurorit kamioni dhe malli janë dërguar në terminalin doganor, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Sipas Kodit Penal, Neni 311 që flet për kontrabandimiin me mallra thuhet se “Kushdo që pa leje përkatëse, shmang kontrollin doganor dhe kalon vijën kufitare duke bartur mallrat, eksportimi apo importimi i të cilave është i ndaluar, i kufizuar apo kërkon leje të posaçme nga organi kompetent, dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet”.