Foto: KALLXO.com

Kontrabandimi i 80 mijë kilogramëve duhan, Gjykata do të vendosë jashtë seancës lidhur me kundërshtimet e mbrojtjes

Avokatët e të akuzuarve për kontrabandim të 80 mijë kilogramë duhan gjatë së martës kërkuan që Gjykata e Prizrenit të vendosë jashtë seancës për kundërshtimet e aktakuzës.

Nëntë zyrtarët doganorë, Ilir Bobi, Dritëro Zeka, Dritan Hasimja, Milan Vidosavleviq, Hekuran Dana, Jeton Berisha, Besart Malaj, Artan Oseku dhe Driton Kurshumlija po akuzohen se kanë kryer veprën penale – keqpërdorimi i detyrës zyrtare dhe marrje e ryshfetit.

Pos zyrtarëve doganorë të përfshirë në këtë rast janë edhe Valdet Syla, Vullnet Syla, Mevlan Arifaj dhe Lulzim Rexha, të cilët po akuzohen se kanë kryer veprat penale – kontrabandimi i mallrave, shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore dhe tregti e ndaluar.

Sipas Prokurorisë së Prizrenit, të lartcekurit i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerë rreth 3 milionë euro.

Pas paraqitjes së kundërshtimit të aktakuzës, avokatja Elvira Heta-Vata konsideroi se nuk ka asgjë për të shtuar dhe kërkoi që Gjykata të vendosë jashtë seance për kundërshtimet.

Të njëjtën gjë e deklaruan edhe mbrojtësit e tjerë si dhe përfaqësuesja e Prokurorisë, Ervehe Gashi, e cila mbështeti këtë propozim.

Pas kësaj, kryetarja e trupit gjykues, Ajser Skenderi, përmes vendimit aprovoi propozimet e Prokurorisë dhe avokatëve.

Paraprakisht në këtë shqyrtim gjyqësor nuk qe i pranishëm i akuzuari Besart Malaj, i cili përmes mbrojtësit të tij e kishte njoftuar Gjykatën se ka rast vdekje.

Të pranishëm në gjykim nuk ishin as Dritan Hasimja me avokaten e tij Shpresë Bakija, Ilir Bobi me avokatin Florent Latifi, i akuzuari Hekuran Dana me mbrojtësin Gazmend Rexhepi, i akuzuari Dritëro Zeka, Milan Vidosavleviq me mbrojtësin Shyqri Syla, Driton Kurshumlija me mbrojtësin Korab Bokshi si dhe avokati Labinot Vata.

Hetimet për kontrabandim me duhan kanë filluar që nga viti 2018 dhe si të dyshimtë kanë qenë të përfshirë 47 persona, prej të cilëve 9 zyrtarë të Doganës.

https://kallxo.com/lajm/dogana-kap-80-mije-kilograme-duhan-te-kontrabanduar-suspendohen-9-zyrtare-doganore/

Prokuroria e Prizrenit më 17 maj 2021 ka ngritur aktakuzë ndaj nëntë zyrtarëve doganorë, nën pretendimin se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare.

Ilir Bobi, Dritëro Zeka, Dritan Hasimja, Milan Vidosavleviq, Hekuran Dana, Jeton Berisha, Besart Malaj, Artan Oseku dhe Driton Kurshumlija se nga viti 2018 – 2019 në pike-kalimin kufitar në Vërmicë – Komuna e Prizrenit në bashkëkryerje, si zyrtarë doganorë 64 herë ua sigurojnë të pandehurve Valdet Syla, Vullnet Syla, Mevlan Arifaj dhe Lulzim Rexha kalim të automjeteve të ngarkuar me duhan të grirë-refuz – në sasi të përgjithshme prej 80 mijë kilogram, filtër për cigare “Grande” – 1 milion e treqind mijë copë, filtër për cigare “Gentleman” 400 mijë copë, letër duhani, filtra për cigare, cigare pa banderolë të markës “Marlboro’’ dhe ”West’’ të gjitha nga Shqipëria në Kosovë.

Sipas Prokurorisë, me anë të këtyre veprimeve të pandehurit e lartcekur ngarkohen se i kanë shkaktuar rreth 3 milionë euro dëm material buxhetit të Kosovës në vlerën e taksës së akcizës, taksës së doganës dhe TVSH-së së papaguar.

Driton Kurshumlija gjatë muajit shkurt-mars 2019 akuzohet se nga i dëmtuari Sefedin Jasiqi kërkon shumën prej 100 euro për kryerjen e zhdoganimit të mallit duke i thënë se zhdoganimi është më lirë nëse i dëmtuari i paguan 100 euro.

Kurse, më 31 mars 2019, nga i dëmtuari Mentor Rexhepi kërkon shumën prej 70 euro për kryerjen e zhdoganimit të mallit, duke i thënë se aq kishte kushtuar zhdoganimi.

I akuzuari Dritan Hasimja më 3 shkurt 2019, thuhet se kërkon para nga i dëmtuari Sali Kalludra për kryerjen e zhdoganimit, duke ditur se mallrat që importon KFOR-i, janë të liruara nga dogana.

Aktakuza thotë se më 8 shkurt 2019, i pandehuri merr shumën prej 100 euro nga i dëmtuari Selim Morina për të zhdoganuar vetëm një pjesë të mallit.

Me këto veprime, sipas Prokurorisë të akuzuarit ngarkohen se kanë kryer veprën penale – marrje e ryshfetit.

Të akuzuarit Valdet Syla, Vullnet Syla, Mevlan Arifaj dhe Lulzim Rexha po akuzohen se nga viti 2018-2019, në pikë-kalimin kufitar Vërmicë, në bashkëkryerje, nga Shqipëria për në Kosovë pa leje përkatëse shmangin kontrollin doganor dhe kalojnë vijën kufitare duke bartur mallrat e lartcekura pa leje të posaçme nga organi kompetent.

Me anë të këtyre veprimeve katër të pandehurit akuzohen se kanë kryer veprat penale kontrabandimi i mallrave, shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore dhe tregtia e ndaluar duke e dëmtuar buxhetin e Kosovës në vlerë prej rreth 3 milionë euro.