Kontrabandë në kufirin mes Serbisë dhe Kosovës, Policia konfiskon mallrat - FOTO

Policia kufitare e Kosovës sot pasdite ka konfiskuar mallra të kontrabanduara në kufirin mes Serbisë dhe Kosovës. Policia ka njoftuar se në një traktor ishin ngarkuar pako me barna të llojeve të ndryshme dhe pajisje të instalimit elektrik.

Në komunikatë PK-ja ka theksuar se policia kufitare e Stacionit Policor për Mbikëqyrje të Kufirit (SPMK) Muçivërcë, sot rreth orës  16:30 në rrugë operative ka pranuar një informatë se në fshatin Domorovc Ranillug, nga territori i Serbisë është futur një traktor i ngarkuar me mallra kontrabandë dhe i njëjti gjende jnë oborrin e një shtëpie të pabanuar.

Policia ka bërë të ditur se me të pranuar informatën njësitë policore patrulluese kanë shkuar në atë lokacion dhe kanë arritur ta gjejnë shtëpinë ku ishte i parkuar traktori që dyshohej së kishte të ngarkuar mall të kontrabanduar.

“Patrulla policore ka identifikuar personin që kujdesej për shtëpinë dhe me lejen e tij, zyrtarët policorë janë futur në oborrin e shtëpisë, ku kanë konstatuar se në rimorkion e improvizuar të traktorit kishte të ngarkuara  pako me barna të llojeve të ndryshme dhe pajisje të instalimit elektrikë”, thuhet në komunikatë.

Për rastin është njoftuar prokurorja kujdestare e Prokurorisë Themelore Gjilan, e cila ka urdhëruar që traktori me mallra të dyshuara të sekuestrohet përkohësisht dhe të iniciohet rasti ‘kontrabanda me mallra’.

Zyrtaret policorë të SPMK Muçivërcë, janë në proces të numërimit të  mallrave të  sekuestruara dhe po ashtu janë duke punuar në identifikimin dhe kapjen e të dyshuarit(ve).

Foto: Policia
Foto: Policia
Foto: Policia