Foto: Policia e Kosovës/Facebook

Kontrabandë me mallra, Policia kap mbi 300 kg mjaltë me përmbajtje të dyshimtë

Policia e Kosovës ka arritur të parandalojë kontrabandimin e rreth 320 kilogramëve mjaltë me përbërje të dyshimtë në fshatin Komollgavë të Ferizajt.

Organet e rendit kanë bërë të ditur se mjalta dyshohet të jetë kontrabanduar nga Maqedonia e Veriut. Policia fillimisht kishte vërjetur një veturë të dyshimtë të llojit ‘Opel Astra’ në fshat dhe në të kishte gjetur 37 paketime me 12 kavanozë mjaltë pa asnjë dokument për origjinën apo përmbajtjen e saj.

Personi i dyshuar është shoqëruar për intervistim, për të vazhduar me procedurat e mëtejme.

Gjithashtu Policia e Kosovës dhe zyrtarët doganorë kanë parandaluar sot edhe një rast të futjes ilegale të mallrave me akcizë, përkatësisht pijeve alkoolike.

Forcat e rendit njoftojnë se gjatë kontrollit të një veture në pikën e kalimit kufitar, Dheu i Bardhë janë gjetur rreth 80 litra alkool të llojeve të ndryshme.

Pas kryerjes së procedurave fillestare, rasti është proceduar nga Dogana e Kosovës.