Kontrabanda me migrantë nga Siria, shtyhet gjykimi në mungesë të anëtares së trupit gjykues

 

Ka dështuar të mbahet seanca e datës së sotme, 29.10.2024, në Gjykatën e Prizrenit, ndaj të akuzuarit për kontrabandim me migrantë, Avdulla Osmani.

Seanca gjyqësore dështoi të mbahet për shkak të mungesës së një anëtareje të trupit gjykues.

Kryetarja e trupit gjykues, Teuta Krusha, deklaroi se nuk kishte kushte ligjore për të vazhduar me seancë.

Gjykatësja Krusha, ka bërë të ditur se, gjyqtarja Raima Elezi ndodhet zyrtarisht jashtë vendit.

Për këtë rast penal, ishte ngritur aktakuzë më datë 28.04.2022, nga prokurori i shtetit Mehdi Sefa.

Sipas aktakuzës, më datë 19 shtator 2021, rreth orës 17:40, në afërsi të pikës kufitare Vërmicë, i akuzuari merret me kontrabandim të migrantëve me qëllim përfitimi të dobisë pasurore.

Sipas dosjes, i akuzuari me automjetin e tij, pas një bisede paraprake me një taksist të pa licencuar, identitetin e të cilit nuk e tregon, pasi me po me të njëjtin shkon në pikën kufitare në Vërmicë dhe aty pranon të bartë migrantët me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, të shumës prej 50 euro për pesë shtetas të Sirisë me emrat Hyseam Mahmud, Muhamed Abdulaziz, Muhamed Elmarali, Ziail Ahmed dhe Smil Nagip.

Të njëjtit, sipas aktakuzës, kanë zbritur nga pjesa malore jashtë vendkalimit kufitar, pa dokumente të identifikimit, dhe kanë hipur në automjetin e të akuzuarit, me ç’rast është ndaluar nga policia kufitare, ndërsa personi me të cilin kanë ardhur bashkë arrin të ikë.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Avdulla Osmani me këtë veprim akuzohet se ka kryer veprën penale të kontrabandimit me migrantë.