Kontejnerët nëntokësorë në Prishtinë mbesin jashtë funksionit

Problemi i mbeturinave dhe kundërmimit të tyre në Prishtinë ishte paraparë të zgjidhej me ndërtimin e kontejnerëve nëntokësorë, një projekt i cili kishte filluar të zbatohej para 6 viteve.

Por kaq vite pas, këta kontejnerë kanë mbetur jashtë funksionit.

Projekti me vlerë 235 mijë euro parashihte që kontejnerët nëntokësorë t’i zëvendësojnë  kontejnerët mbitokësorë si masë për ruajtjen e higjienës dhe pastërtisë në rrugët e kryeqytetit.

Por ky projekt, i cili ka nisur në vitin 2013 kur komunën e drejtonte Isa Mustafa, është pezulluar nuk është arritur të sigurohet makineria adekuate për kompaninë dhe as kompania për pastrim nuk ka poseduar makineri të reja.

Mungesa e makinerisë adekuate dhe kostoja e lartë e makinerive të reja është arsyeja se pse këta kontejnerë nuk funksionojnë , ka thënë për KALLXO.com, Habib Qorri, Udhëheqës i Sektorit për Shërbime Publike, në Komunën e Prishtinës.

Sipas Qorrit, Komuna ka bërë investim në kamionët e kompanisë së pastrimit KRM Pastrimi, por ata kanë aq të vjetur sa që kanë hasur në defekte të shumta gjata operimit ku kanë shkaktuar kaos.

“Kontejnerët fillimisht nuk kanë pas makinerinë adekuate për ngritje të platformave dhe zbrazje të tyre. Makineria me të cilin ka poseduar KRM Pastrimi nuk ka qenë adekuate dhe respektivisht nuk janë shfrytëzuar një kohë derisa Komuna e Prishtinës ka bërë investim në adaptimin e kamionëve ekzistues të KRM Pastrimit për kryerjen e shërbimit në këto pika. Mirëpo duke pas parasysh që kamionët me të cilat ka poseduar kanë qenë të vjetër, kanë hasë në defekte të shumta gjatë operimit. Duke marrë parasysh që defektet në kamion kanë shkaktuar vonesa të mëdha, e që në lokacionet ku janë kontejnerët nëntokësor (kryesisht në qendër) një gjë e tillë ka shkaktuar kaos dhe se kostoja për furnizim me makineri (kamion adekuat) të rinj është shumë e lartë, ofrimi i shërbimeve përmes këtyre kontejnerëve është pezulluar”, tha Habib Qorri.

Futja në funksion e kontejnerëve nëntokësor, pas kaq vitesh kërkon riparim dhe mirëmbajtje për kthimin e tyre në gjendjen e rregullt.

Kontejnerët Nëntokësorë Mbajtës të Vazove me Lule

“Përndryshe kontejnerët nëntokësorë fillimisht kanë qenë në gjendje të rregullt derisa me kalimin e kohës si çdo makineri edhe ata kanë nevojë për mirëmbajtje pasi që në përbërjen e tyre ata kanë edhe pjesë hidraulike. Që kontejnerët nëntokësor të futen në përdorim përsëri KRM Pastrimi duhet ti blej kamion të veçantë dhe të mirëmbahet konstruksioni i kontejnerëve nëntokësor”, deklaroi Qorri.

Ndërsa Arbnore Ademi nga KRM “Pastrimi” tha për KALLXO.com se infrastruktura e dobët është arsyeja e ndërprerjes së punës së këtyre kontejnerëve.

“Kontejnerët nëntokësorë tash e një kohë janë jashtë funksionit, sepse një kohe kanë funksionuar, mirëpo për shkak të infrastrukturës së dobët është ndërprerë funksionimi i tyre”, tha Ademi.

Ajo shtoi se KRM ‘Pastrimi’ ka bërë modifikimin e kamionëve për largim të mbeturinave me kërkesë të Komunës së Prishtinës dhe se largimi i mbeturinave nga kontejnerët nëntokësorë kërkon mekanizëm të veçantë.

“Kohë më parë kur ka filluar ky projekt nga Komuna e Prishtinës, sepse ky ka qenë projekt i Komunës së Prishtinës, Kompania Pastrimi ka bërë vetëm implementimin e projektit. Kompania Pastrimi me kërkesë të Komunës së Prishtinës ka bërë modifikimin e kamionëve për largimin e mbeturinave nga kontejnerët nëntokësorë sepse për largimin e mbeturinave të tilla kërkohet mekanizëm i veçantë” tha Ademi.