Mungesa e ujit Ilustrimi: Pixabay
Konsumatorët e ujësjellësit në Skenderaj e Mitrovicë tash e tri ditë pa ujë
Qytetarët e Skenderajt dhe të Mitrovicës që furnizohen me ujësjellës – tash e tri ditë po përballen me mungesë të ujit, që nga data 03.08.2024.
“Nuk është rregullu uji, prej pardje nuk ka ujë” – tha për KALLXO.com, një qytetar i Skenderajt në kushte anonimiteti, mesditën e 05.08.2024.
Edhe nga Mitrovica, një qytetar konfirmoi për KALLXO.com, se deri në ora 15:00 nuk është rikthyer furnizimi me ujë.
Ndërkaq, Kompania Rajonale Ujësjellësi “Mitrovica” ka thënë se për shkak të mungesës së rrymës, është ndalë puna në Impiantin për Trajtimin e Ujit të Pijes në Shipol.
KALLXO.com ka kontaktuar edhe Kompaninë për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) për të marrë qëndrim në lidhje me këtë çështje dhe është në pritje të përgjigjes.
Në anën tjetër, zëdhënësi i Kompanisë Rajonale Ujësjellësi “Mitrovica” Niman Baliu, tha për KALLXO.com, se furnizimi me ujë pritet të rikthehet pasi sipas tij është rregulluar çështja e rrymës.
“Rregullimi dhe rikthimi i furnizimit me ujë të pijshëm është duke u pritur në çdo moment, por kjo përsëri varet nga pjesa e rregullimit të energjisë elektrike të tensionit të lartë. Për Shipolin, mbrëmë gjatë natën kanë qenë duke punuar për rikthimin energjisë elektrike në këtë pjesë”- ka thënë Baliu.
KRU “Mitrovica” më pas ka njoftuar më 05.08.2024 se është rikthyer furnizimi me rrymë dhe pritet që të ndodhë njësoj dhe me ujë.
“Para pak çastesh është rikthyer furnizimi me energji elektrike i ITU në Shipol dhe tashmë ka filluar punën Impianti për Trajtimin e Ujit të Pijes në Shipol. Tani impianti është duke punuar me kapacitet të plotë të prodhimit/trajtimit të ujit dhe pritet që se shpejti të rikthehet furnizimi; fillimisht në pjesët e ulëta e me kohë duke u mbushur rrjeti, uji pritet të arrijë edhe në pjesët e larta”- thuhet në njoftim.
Në anën tjetër, zëdhënësi i Komunës së Skenderajt, Amir Lushtaku tha se për telashet me ujin u njoftuan nga kompania.
“Si komunë jemi informuar nga KRU në Mitrovicë se ka një probleme me pompën e cila furnizohet me energji elektrike, po ashtu edhe probleme me një trafo elektrike që i furnizon këto pompa. Para dy ditë ka qenë si problem por është rregulluar, por përsëri pas disa orëve është ndalë furnizimi”- theksoi Lushtaku.
Sipas tij problem më të theksuar me mungesën e ujit ka pasur në qytet.
“Qytetaret e Skenderajt po furnizohen me ujë të pijshëm përmes alternativave, problem më i madh është në qytet sepse nuk kanë nga ku të furnizohen me ujë të pijshëm, ndërsa në fshatra po furnizohen përmes puseve”- përfundoi ai.