Foto: MPJD

Konsullatat dhe ambasadat e Kosovës kanë mbi 1.6 milion euro avance të pambyllura

Konsullatat dhe Ambasadat e Kosovës të cilat janë të vendosura nëpër vende të ndryshme të botës kanë mbi 1.6 milion euro avance të pambyllura.

Kjo është gjetje e Zyrës Kombëtare të Auditimit për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) është publikuar në raportin e vitit 2020.

Avancet e dhëna si para të gatshme për udhëtime zyrtare dhe paratë e dhëna në dorë për ambasadat dhe shpenzimet e paregjistruara nga llogaritë e ambasadave duhet të mbyllen (arsyetohen) në mënyrë që të paraqiten si shpenzime në mënyrën e duhur në pasqyrat financiare.

Mirëpo një gjë e tillë nuk ka ndodhur edhe në MPJD. Auditori ka gjetur se janë hiç më pak se 1,641,152 euro avance të pambyllura, të cilat ministria i ka shpalosur në raportin vjetor financiar.

“Këto shpalosje (avance të pa mbyllura) kanë të bëjnë me shpenzimet që kanë bërë Misionet Diplomatike dhe Konsullore (MDK) të cilat nuk ishin regjistruar në Sistemin Informativ të Menaxhimit të Financave të Kosovës  si shpenzime nga ana e ministrisë edhe pse ishin raportuar nga Misionet Diplomatike dhe Konsullore (MDK)”, thuhet në raportin e Auditorit.

Tutje Auditori ka konstatuar se ka mosbarazim të avanseve mes raportit vjetor financiar të buxhetit të Kosovës dhe raportit vjetor financiar të MPJD-së.

“Ekziston një mosbarazim i avanseve në vlerë prej 53,848 euro, në mes Raportit Vjetor Financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës(1,695,000 euro) dhe RVF-ve të MPJD-së (1,641,152 euro). Për këtë mosbarazim ministria nuk ishte në gjendje të na ofroj sqarimet e nevojshme”, thuhet në raport.

Sipas raportit, shkaqet e mosregjistrimit të shpenzimeve ishin të ndryshme si: menaxhimi i dobët i tyre nga ministria, lëvizja e zyrtarëve financiar nëpër misione diplomatike si dhe pamjaftueshmëria e kontrollit të brendshëm te zyra e financave.

Auditori ka konstatuar se “mosregjistrimi i të gjitha shpenzimeve të MDK-ve në SIMFK ndikon që vlera totale e shpenzimeve e paraqitur në RVF të mos jetë e saktë, pra të jetë e nënvlerësuar”.

Zyra Kombëtare e Auditimit, në fund të raportit ka dhënë rekomandime për ministren e MPJD-së, Donika Gërvalla.

“Ministrja duhet të sigurojë se të gjitha shpenzimet e raportuara nga Misionet Diplomatike dhe Konsullore regjistrohen në SIMFK sapo të pranohen nga zyrtarët përgjegjës të MDK-ve dhe të njëjtat raportohen në fund të vitit në RVF si shpenzime totale të ministrisë”, thuhet në raport.

Me këto gjetje të ZKA-së është pajtuar ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.