Konstituohet Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme dhe Diasporë

Në mbledhjen e parë të tij është konstituuar Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme dhe Diasporë.

Kryetarja e Komisionit, Time Kadriaj (AAK) tha se komisioni përbëhet prej 11 anëtarëve.

“Në mbledhjen e ardhshme do të bënim një agjendë ashtu siç i ka hije Komisionit. Po e presim edhe planin e qeverisë”, tha ajo.

Kurse, Fidan Jilta (Partia Demokratike Turke) anëtare e Komisionit tha se do të dëshironte që mbledhjet e komisionit të mbaheshin të mërkurën, kurse më pas doli nga salla me arsyetimin se e ka një mbledhje të një tjetër Komisioni Parlamentar.

Ndërkaq, Arben Gashi (LDK) tha se në komision do të hartohen draftet dhe planet e punës së Komisionit.

Sa i përket caktimit të ditëve dhe orës për mbledhjet e Komisionit, Gashi propozoi qe kjo të vendoset në tjetër mbledhje për shkak të dinamikës së punës së Kuvendit.

Në anën tjetër, Fatmire Kollçaku (LVV) kërkoi harmonizim të orareve për takimet e rregullta.

“Është mirë me vendos tash një orar të rregullt”, tha ajo.

Enver Hoxhaj (PDK) tha se është i hapur për oraret e takimeve.

“Është mirë të koordinohemi edhe për atë se ku është diplomacia parlamentare para se të shohim ku është Qeveria. Kjo pasi Kuvendi është pjesë e shumë organizatave ndërkombëtare”, tha Hoxhaj.

Gazmend Gjyshinca (LVV) propozoi që më takimet e ardhshme të thirret edhe ndonjë përfaqësues nga Ministria e Punëve të Jashtme.

Ndërsa, Mirlinda Sopi Krasniqi nga AKR-ja tha se për të është nder të jetë pjesë e këtij Komisioni.

Komisioni vendosi që të caktohet një mbledhje për agjendën dhe formimin e grupit punues për planin e punës.