Foto: KALLXO.com

Konstituohet Komisioni Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve të Bordit të RTK-së

Është konstituar sot Komisioni Ad-hoc i Kuvendit të Kosovës, për përzgjedhjen e kandidatëve të Bordit të RTK-së.

Gjatë këtij takimi anëtarët e komisionit kanë diskutuar për procedurat se si do të bëhet intervistimi i kandidatëve për anëtarë të Bordit të RTK-së.

U dhanë shumë propozime, ndërsa pati propozime që intervista me kandidatët të transmetohen online.

Armend Zemaj, kryetar i komisionit ka thënë se në komision kanë ardhur 132 aplikacionet,  127 të kandidatëve shqiptarë dhe 5 të serbëve.

“Komisioni do të japë kohën e mjaftueshme administratës së Kuvendi për të verifikuar aplikacionet”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se procesi do të jetë transparentë dhe presin ide kreative edhe nga shoqëria civile rreth procesit të intervistimit të kandidatëve.

Ndërsa, deputeti Armend Muja ka thënë se procesi i intervistimin duhet të jetë transparent.

“Mendoj se duhet të jeni sa më transparent, duke parë mundësinë edhe intervistim online të kandidatëve”, ka thënë ai, duke propozuar edhe modele rreth procesit të intervistimit.

Muja ka kërkuar që procesi intervistues të nisë sa më shpejtë.

Edhe deputetja Doarsa Kica është shprehur në favor të transmetimit të intervistimit të kandidatëve online.

“Mendoj se duhet t`u krijohet mundësi shoqërisë civile që kërkojë nga deputet të justifikojnë poentimet e kandidatëve”, ka thënë ajo.

Kurse, deputetja Blerta Deliu ka thënë se komision duhet të krijojë një model që pyetjet të njëjta për të gjithë kandidatëve.

“Parimi i pyetjeve duhet të jetë i njejrë për të gjithë. Shoqëria civile të jetë sa më shumë prezent gjatë procesit të intervistimit”, është shprehur deputetja Kodra – Deliu.

Deputeti Fitim Uka ka thënë së duhet te përcaktohet mënyra e intervistimit të kandidatëve.

“Mendoj që për pyetje specifikime profesionale me pas një test me shkrim. Unë jam për pyetje të tipit të mbyllur”, ka thënë ai.

Kurse, deputetja Duda Balje ka thënë se procesi kërkon përkushtim dhe zgjedhjen e mënyrës më të mirë për intervistimin e kandidatëve.

“Ne nuk jemi profesionist dhe këtu duhet ose me formulu pyetje ose me angazhu profesionalist me përgatit pyetje, për kandidatët, për të pasur një proces sa më të suksesshëm”, ka thënë Balje.

Komisioni mbeti që në takimet e ardhshme të vendos për mënyrën për mbajtjes së procesit të intervistimit të kandidatëve për anëtar të Bordit të RTK-së.

Komisioni Ad-hoc i Kuvendit të Kosovës, për përzgjedhjen e kandidatëve të Bordit të RTK-së, përbëhet nga 11 anëtarë, dy prej tyre nga komunitet jo shumicë.

Në përbërje të komisionit janë: Armend Zemaj, kryetar i komisionit, Armend Muja, Doarsa Kica, Saranda Bogujevci, Ardian  Gola, Fitim Uka, Mërgim Lushtaku, Blerta Deliu – Kodra, Igor Simiq, Albana Bytyçi dhe Duda Balje.