Konsituohet Komisioni Hetimor për energji i inicuar nga LVV-ja

Me 7 vota për është konstituuar Komisioni Hetimor Parlamentar i inicuar nga Lëvizja Vetëvendosje në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike.

Kryesuesi i këtij komisioni, Hajdar Beqa ka propozuar që të caktojnë fushën se ku duan të fokusohen.

Në rendin e ditës së këtij takimi kanë qenë katër pika, mirëpo me kërkesë të deputetit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje është larguar nga rendi u ditës pika e tretë.

“Propozoj që pika e tretë e planit të veprimit të hiqet nga rendi i ditës”, ka thënë Rexha.

Për këtë çështje, deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj ka kërkuar që të caktohet dita se kur do të takohen për të diskutuar për planin e veprimit.

“Nuk jam i interesuar që të humbim ndonjë ditë pune”, ka thënë Zemaj.

Zemaj, po ashtu ka thënë që me qëllim që e gjithë puna të mos shkoj dëm, për shkak të kohës së pamjaftueshme duhet që jëta deputet të fokusohen në disa pika më kryesore.

“Propozimi im është që ta reduktojmë punën tonë në disa pika më kryesore për të cilët janë të interesuar më shumë qytetarët”, ka thënë Zemaj.

Në fund, anëtarët e komisionit janë dakorduar që të mbajnë një punëtori për të diskutuar lidhur me planin e veprimit.

Më 5 maj 2022, me 95 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka themeluar komisionin hetimor që do të ketë objekt hetimi procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë duke filluar nga viti 2006 deri në vitin 2022 në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike.

Kujtojmë se në datën e lartcekur, me 93 vota për asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi kishte formuar Komisionin Hetimor Parlamentar, lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Kosovës, që do të udhëhiqet nga deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj.

Ndërsa dje gjatë ditës, me pesë vota për është konstituuar ky Komision.

Kryesuesi i këtij komisioni, Selmanaj tha se mandati do të jetë gjashtë mujor ndërsa theksoi se nuk dihet saktë kur do të përfundojë funksioni i Komisionit, për shkak të pushimeve.

Selmanaj tha se për punën e Komisionit duhet të shikojnë mundësitë e një buxheti.

Konstituohet Komisioni Hetimor për energji, Selmanaj kërkon nga deputetët të jenë vigjilentë