Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Konsensusi i kërkuar lidhur me listat e veteranëve të UÇK-së, Klinaku i reagon ministrit Murati

Ministri i Financave, Punëve dhe Transfereve, Hekuran Murati ka paralajmëruar verifikim dhe rikategorizim për listat e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pas miratimit të ligjit të ri.

Këtë ai e ka thënë gjatë prezantimit të buxhetit 2023, në komunën e Gjakovës.

“Për veteranët por edhe për mbështetjen ndaj kësaj kategorie shoqërore që ka dhënë kaq shumë ne si qeveri kemi bërë disa hapa në mënyrë që të vijmë deri te një gjuhë e përbashkët edhe me shoqatat të dala nga lufta, por të kemi një koncensus edhe me subjektet opozitare parlamentare që kemi në Kuvend”.

“Deri më tani, ka një distancë në atë se ku duam të arrijmë për shkak se në të kaluarën mënyra se si janë dizajnuar ligjet dhe mënyra se si kanë shkuar proceset po besoj e dini të gjithë që nuk është se ka shkuar gjithcka ashtu sic është dashtë” – ka thënë Murati.

Ministri ka shtuar se si rezultat i kësaj ka evidencë se numrat e veteranëve të luftës nuk janë tërësisht të saktë.

“Si rezultat i kësaj ka evidencë dhe numra të cilët figurojnë se nuk janë numra të saktë, me fjalë tjera është fryer numri. Ndoshta mund të kenë qenë edhe për shkak të keq dizajnimit të ligjit kur është shkruar por unë nuk do të hyj në ato vlerësime por çka duhet të bëhet këtu është që si qeveri ne kemi bërë një dizajn të hapave se cka duhet të bëhet, pra kemi kërkuar që me një ligj të ri të bëhet një riverifikim që pastaj na mundëson që të ketë një trajtim të dinjitetshëm dhe një rikategorizim sepse s’mund të ketë barazim për gjithë ato kategori si e parasheh ligji aktual e i cili pastaj ka mundësuar të hapet dera e të rritet numri aq shumë që pra realisht një pjesë e madhe edhe e konsiderojnë që nuk është i saktë” – ka vijuar ai.

Murati tuje ka shtuar se përmes një rikonfirmimi me një ligj të ri do të ketë mundësi që pastaj edhe të ketë mbështetjen e duhur.

“Sepse ka dikush që mund t’i ketë kushtet e mira por ka dikush që mund të mos ketë kulm mbi kokë. Pra, aty edhe nëse e dyfishon shumën aktuale prapë nuk bëhet zgjidhje. Pra, synimi është që t’i ofrohet mbështetja e nevojshme dhe të sigurohen parakushtet bazike së paku që të ketë një jetë të dinjitetshme secili që ka dhënë kontribut për këtë vend” – ka përmbyllur ai.

Mirëpo me një reagim për këtë deklaratë ka dalë ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku.

Përmes një reagimi në Facebook Klinaku ka thënë se tema e veteranëve nëpër debate të tilla bëhet vetëm për vota.

“Sa i përket asaj se si qeveri paskan bërë disa hapa që të vijnë në një gjuhë të përbashkët me shoqatat e dala nga lufta dhe subjektet opozitare, absolutisht nuk është e vërtetë, sepse që nga shkresa e dërguar te kryeministri Kurti, nuk ka pasur më asnjë kontakt në mes nesh e rreth kësaj teme” – ka shkruar ai.

“Sa i përket çfarëdo ligji të ri për veteranët, apo amendamentim të ligjeve aktuale në fuqi, këtë gjë e kemi thënë se kur dhe si mund të bëhet kjo, në shkresën tonë drejtuar qeverisë, prandaj po e publikojë edhe një herë shkresën që të mos manipulohet publiku” – ka vijuar Klinaku, i cili ka paralajmëruar edhe protesta në oborr të Kuvendit.

“Nëse e kanë qëllim që të përgatitet apo manipulohet publiku e pastaj të dal në Kuvend për lexim të dytë projektligji që i heq veteranët nga paga minimale, e them përsëri se neve do të jemi në protesta në oborr të Kuvendit. Veteranë të nderuar, invalidë e familje të dëshmorëve, të jeni të përgatitur që nëse ju thërrasim në protestë, të dilni sa më masovikisht”- ka përmbyllur ai.

Në korrik të këtij viti Ministri i Financave, Hekuran Murati u ka kërkuar ndjesë luftëtarëve të Ushtrisë Çlirmtare të Kosovës(UÇK) për shkrimet që kishte bërë para disa viteve.

Përmes një postimi në Facebook Murati kishte thënë se këto shkrime janë bërë nga mllefi që sipas tij, me fryrjen e listave për përfitime financiare e politike po shtrembëronin historinë e luftës.

Ai kishte thënë që gjuha e përdorur atëherë ka qenë e gabuar.