Konkursi për rektor të UP-së, intervistimi i kandidatëve bëhet më 21 nëntor

Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka bërë të ditur se ka miratuar agjendën e intervistimit dhe votimit të kandidatëve të cilët i kanë plotësuar kushtet për konkurrim për pozitën e rektorit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Siaps njoftimit, intervistimi i kandidatëve do të bëhet me datë 21 nëntor 2022, me fillim prej orës 10:00, në sallën e Senatit të UP-së.

Pas intervistimit të kandidatëve, do të bëhet edhe votimi për zgjidhjen e rektorit.

Duke u thirrur në frymën e zotimit për transparencë të plotë ndaj çdo faze të përzgjedhjes, Këshilli Drejtues ka ftuar mediat për monitorim e këtij procesi.

Naser Sahiti është shkarkuar nga pozita e rektorit të UP-së më 21 tetor 2022, ndërsa ushtruese e detyrës së rektores është emëruar Luljeta Plakolli-Kasumi.

Në konkursin për rektor të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, kanë aplikuar gjashtë burra dhe asnjë grua.

KALLXO.com mëson se kandidatët që kanë aplikuar në konkursin për rektor janë: Ilir Tolaj, But Deda, Salih Salihu, Sefer Avdijaj, Ermir Rogova, Qerim Qerimi.

Konkursi për rektor ka qenë i hapur deri më 7 nëntor, në ora 16:00.