Konkursi për mësimdhënës në Han të Elezit, e afërmja e kryetarit Ballazhi më e poentuara - DOKUMENT

Në konkursin për mësimdhënës të gjuhës shqipe në shkollën fillore “Veli Ballazhi” në fshatin Gorancë të komunës së Hanit të Elezit me pikë maksimale doli Ajtene Curri Ballazhi, 87 gjithsej, duke lënë mbrapa pesë kandidatët e tjerë, në mesin e tyre edhe Liridona Bushi – Raçin e cila në testin e parë me shkrim ishte e para për nga pikët e testit, 60 sosh.



KALLXO.com merr vesh se kandidatja Ajtene Curri – Ballazhi ka lidhje familjare me kryetarin Mehmet Ballazhin, të njëjtën gjë e konfirmon edhe vet kryetari, përderisa mohon të ketë “gisht” në punësimin e saj. 


“Vjehrrin e saj e kam kusheri. Jo, të lutem, merruni me hetime me prokurori është komisioni janë hetimet, ju kisha lutë se unë nuk merrem me këto. Jam i interesum me pas monitorues në çdo konkurs”, tha ai.

Komisioni për Ankesa dhe Prapashtesa pati anuluar testin e parë me shkrim me arsyetimin se ka pasur shkelje gjatë procedurave.

I bindur se gjithçka ka qenë reale dhe pa asnjë manipulim është anëtari i komisionit, njëherish drejtori i shkollës, Faruk Berisha. Ai potencon se testi i parë ka qenë shumë i komplikuar përderisa thekson se testin e dytë e kanë përpiluar në atë mënyrë që  “do i hynte në detyrë arsimtarit të gjuhës shqipe nga klasa 6 në të 9”.

“Testin e dytë e kena themelu unë si drejtor shkolle, shefi i arsimit dhe një arsimetare e gjuhës shqipe që ka qenë anëtare e komisionit, është e rregullune me ligj që me qenë edhe një arsimtare e gjuhës shqipe. Të jesh i bindur, ta garantoj se shumë real ka qenë testi, për testin e dytë po flas. Testi i parë është anulu që tre ankesa kanë qenë se ka pas manipulime në test”, u shpreh ai për KALLXO.com.

KALLXO.com gjithashtu ka tentuar të marrë një deklaratë në lidhje me këtë nga kryetari i Komisionit, Sear Derjani, por i njejti nuk ka qenë i qasshëm.

Liridona Bushi – Raci, vendimin për anulim të testit me shkrim e pati cilësuar politik pasi që ajo është mbesa e ish kryetari të Hanit të Elezit, Rufki Suma, dhe sipas saj një gjë e tillë e ka penalizuar në këtë konkurs.

“Gjithçka po shihet se është politike, se unë jam mbesa e ish kryetarit dhe unë para tetë viteve kam diplomu dhe para tre viteve e kam mbrojtë masterin, do të thotë jam e vetmja kandidate me mastër në këtë konkurs”, pati thënë ajo për KALLXO.com.

Testi me gojë për këtë konkurs do të mbahet më 28 dhjetor 2021.

Mbesa e ish kryetarit të Hanit të Elezit e quan politik anulimin e testit me shkrim në konkursin për mësimdhënës