Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Konkursi për drejtor të Radio Kosovës pritet të rishpallet përsëri

Konkursi për drejtor të Radio Kosovës pritet të rishpallet së shpejti, ka konfirmuar për KALLXO.com drejtori i përgjithshëm i Radiotelevizionit të Kosovës, Shkumbin Ahmetxhekaj.

Ahmetxhekaj tha se ka miratuar rekomandimin e komisionit përzgjedhës për anulimin e konkursit.

“Para disa ditësh kam miratuar rekomandimin e komisionit përzgjedhës për anulimin e konkursit për drejtor të Radio Kosovës. I njëjti do të rishpallet shumë shpejtë”- tha ai.

Më 11 nëntor, Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese ka monitoruar mbledhjen e Komisionit vlerësues për zgjedhjen e drejtorit të Radio Kosovës. Për pozitën e drejtorit të Radio Kosovës kishin konkurruar katër kandidatë. Prej tyre, sipas vlerësimit të Komisionit, vetëm dy i kanë plotësuar kriteret e kërkuara, andaj komisioni vlerësues kishte rekomanduar anulimin e konkursit.

Tre kandidatë kishin bërë ankesë, nga të cilat dy ishin aprovuar.

Komisioni për përzgjedhjen e drejtorit të Radios është përbërë nga Zeljko Tverdisiq – kryetar i komisionit, Hyre Tejeci, Arta Bajrami, Selami Selimi dhe Haki Kika – anëtarë.

Konkursi për drejtor të Radios ishte rishpallur pasi bordi nuk kishte miratuar propozimin e drejtorit për emërimin e Florije Durmishit në këtë pozitë.