Konkursi në Fakultetin e Mjekësisë, kandidatja reagon ndaj akuzave për kualifikimin e saj

Fatos Sada dhe Agreta Gecaj- Gashi kanë konkurruar për pozitën e Profesorit Asistent në konkursin e fundit të Fakultetit të Mjekësisë.

Të dy kishin konkurruar për pozitën Profesor Asistent në konkursin e Fakultetit të Mjekësisë të datës 22 tetor 2019 për një grup lëndësh.

Dyshimet për diskriminim në konkurs e kanë shtyrë kandidaten Agreta Gecaj- Gashi të ankohet në komisionin e ankesave.

Komisioni Recensues kishte rekomanduar kandidatin Sada për këtë pozitë si kandidati më i kualifikuar.

Megjithatë sipas kandidates Gecaj-Gashi, kandidati Sada është më pak i kualifikuar se ajo dhe se kanë ndikuar shumë faktorë që komisioni recensues rekomandoi Sadën.

Gecaj- Gashi pretendon se është diskriminuar në të gjitha pikat karshi kundërkandidatit. Ajo madje vë në dyshim paanshmërinë e komisionit recensues që ka bërë këtë përzgjedhje.

Pretendimet e saja, Gecaj- Gashi i kishte ngritur në një prononcim për Gazetën Jeta në Kosovë. Këshilli i Fakultetit të Mjekësisë, më pas vendosi që në lidhje me këtë rast të vendoset sërish nga Komisioni Recensues.

Por, kandidati Sada në një deklarim për GJNK, ka thënë se i ka plotësuar të gjitha kushtet të cilat janë të përcaktuara me rregullore dhe statut të Universitetit të Prishtinës.

Sada kishte reaguar duke thënë se diferenca në mes tij dhe kundërkandidates bëhet me përvojën e punës që ka ai, rezultatet si asistent i rregullt, nota mesatare më e lartë, si dhe trajnimet për mësimdhënie që ai ka.

Sipas tij, ai ka dy të trajnime të tilla pranë Qendrës për Përsosmëri të Studimeve në UP, dhe dy në nivel të Shoqatës Evropiane të Anestezionit të mbajtura në Rigë/Letoni dhe në Bruksel/Belgjikë.

Sada thotë se ka përvojë 12 vjeçare në mësimdhënie si asistent i rregullt pranë Fakultetit të Mjekësisë dhe se avancimi i tij ka qenë kërkesë e Fakultetit drejtuar Rektoratit.

Ai ka përmendur edhe notën mesatare të kundërkandiates, që sipas tij, ka ndikuar që Gecaj- Gashi të refuzohej dy herë në konkurset për asistente të rregullt. Ai kishte vënë dyshime edhe në doktoratën e kundërkandidates.

Ai ka thënë se kandidatja është refuzuar nga Universiteti i Prishtinës pasi ka pasur notë mesatare më të ulët se 8.

Sipas tij, nota mesatare e kundërkandidates ka ndikuar që ajo të mos jetë as si e angazhuar në Universitetin e Prishtinës.

Kandidatja Gecaj- Gashi përsëri ka reaguar ndaj pretendimeve të kundërkandidatit Sada.

Gecaj- Gashi përsëri ka deklaruar se i plotëson të gjitha kushtet e parapara sipas Statutit të UP (neni 177) dhe Rregullores në fuqi (neni 6) për pozitën Profesor asistent, si dhe, se tejkalon disa herë kundërkandidatin me veprimtari shkencore.

Ajo ka thënë se me mos rekomandimin e saj, komisioni vlerësues është shkelur Statuti i UP dhe Rregullorja në fuqi.

Ndërsa ka shtuar se nota mesatare nuk është kusht i përzgjedhjes për këtë pozitë dhe pse ajo po përdoret si argument kundër saj.

“Nota mesatare në studime themelore nuk është as kusht as kriter i përzgjedhjes për pozitën e profesorit asistent sipas Statutit te UP dhe sipas Rregullores në fuqi, ju pëlqeu kjo apo jo atyre që po e përdorin si argument kundër meje. Sa i përket notës time mesatare, është nota mesatare e një studenteje të mjekësisë e cila e ka kryer fakultetin e mjekësisë 6 vjeçar në afat ( për 6 vite), e para e gjeneratës, në moshën 24 vjeçare , në vitin 1997”, ka deklaruar ajo.

Më tej, Gecaj- Gashi ka thënë se ajo kurrë nuk është refuzuar nga kandidimi për doktoraturë, por se një numri të madh i është mohuar e drejta e studimeve të doktoratës në UP.

Këshilli mori vendim që raporti i Komisionit Recensues për dy kandidatë për këtë pozitë, të kthehet sërish në rivlerësim pasi njëri prej anëtarëve të komisonit nuk kishte dhënë fare vlerësim për kandidaten Agreta Gecaj-Gashi.

Kandidatët do të vlerësohen nga komisioni i njëjtë, i cili i ka vlerësuar edhe herën e parë.

Gazeta Jeta në Kosovë, para publikimit të artikullit me pretendimet e kandidates Agreta Gecaj-Gashi, kishte kërkuar përgjigje nga kandidati Fatos Sada. Gazeta i ka dhënë kohë të arsyeshme për përgjigje kandidatit dhe të njëjtin e ka paralajmëruar për kohën e publikimit të artikullit.

Reagimi i plotë i kandidates Agreta Gecaj-Gashi:

 REAGIM

Për hir të informimit të drejtë të opinionit jam e detyruar të reagoj ndaj të pavërtetave që janë lansuar nga kundërkandidati im në gazetën tuaj.

Unë i kam plotësuar të gjitha kushtet e parapara veç e veç dhe kumulativisht  sipas Statutit të UP (neni 177) dhe Rregullores në fuqi (neni 6) për pozitën Professor asistent, dhe tejkaloj për disa herë kundërkandidatin tim në veprimtarinë shkencore.

Kundërkandidati ka deklaruar që është bërë kërkesa për avancimin e tij nga asistent në profesor. Pozita e profesorit asistent nuk trashëgohet, është pozitë e re konkuruese, meritore.

Gjatë vlerësimit tim nga komisioni vlerësues është shkelur Statuti i UP dhe Rregullorja në fuqi. Janë evidentuar shumë shkelje, mirëpo po I potencoj kryesoret dhe atë jo me thashetheme po me argumente dhe fakte të ndërlidhuar me linqe.

FAKTET DHE ARGUMENTET

1. Unë kam përfunduar Magjistraturën në vitin 2007 në UP, Doktoraturën në vitin 2015 në Universitetin Kiril I Metodij në Shkup, Specializimin në Anesteziologji dhe Mjekim Intensiv në vitin 2004, dhe jam nën moshën 50 vjet dhe kam Monografi të botuar në vitin 2018

2. Kam 5 publikime shkencore ne platformën më kredibile, Scopus- si Autore e parë, ndërsa kundërkandidati im e  ka 1 publikim të vetëm, madje edhe aty unë jam koautore.

Publikimet e mia janë të publikuara në revista prestigjioze, me impakt faktor të lartë, përveç tjerash edhe në LANCET me Impakt Faktor 27.5. https://www.thelancet.com/laninf/about

Është për tu habitur fakti që komisioni janë përkujdesur që pikërisht këtë publikim ta largojnë nga tabela e vlerësimit, si duket nuk ka qenë I “vlefshëm” për ta. Ky publikim është prezentim I një pacienti tonë , një rast shume I rrallë, dhe është cituar 40 here dhe atë nga disa revista prestigjioze në këtë lëmi. https://www.semanticscholar.org/paper/Balkan-NDM-1%3A-escape-or-transplant-Gecaj-Gashi-Hasani/d823aca9fae895d47b1d4fa1ddbd8f4f89d1427c

Komisioni për studime dhe shkence në kuadër të Dekanatit të Fakultetit të Mjekësise e ka kthyer në tabelën vlerësuese.

(Duhet cekur që kryetarja e komisionit vlerësues është kooature në këtë publikim të cilin e ka radhitur në top-10 në CV e saj zyrtare në web faqe të Fakultetit të Mjekësisë).

Është cekur që kunderkandidati im i paska 35 citime-ndërsa nuk janë përmendur fare 538 citimet e mia dhe H indexi 11  kur dihet që  kredibiliteti i Universitetit  dhe i  stafit akademik  rangohet në bazë të citimeve të publikimeve.    https://scholar.google.com/citations?user=DZ6lPI8AAAAJ&hl=en

Kam 8 publikime si koautore poashtu në Scopus, disa prej tyre hulumtime multicentrike ndërkombëtare në revista me Impakt faktor të lartë.  https://www.scopus.com/authid/detail.uri?authorId=36518692100

Kam edhe shumë publikime në revista tjera si dhe dhjetëra prezentime në kongrese  ndërkombëtare , rajonale dhe vendore.

3. Kam përvojë në mësimdhënie në lëminë përkatëse, gjegjësisht në lëndët nga fusha e Anesteziologjisë dhe Reanimacionit 14 semestra akademik në institucionet e Arsimit të Lartë të akredituara sipas legjislacionit në fuqi në Kosovë.( Neni 6 i Rregullores, pika 1.4, 2 )

 Kundërkandidati im i i ka 12 vite përvojë mirëpo pjesën më të madhë në lëndën e Kirurgjisë që do të thotë jo në fushën përkatëse sic kërkohet me Statut dhe Rregullore, vite të cilat me një kërkim të thjeshtë në platformat kredibile në internet, nuk rezultojnë të kenë qenë produktive në aspektin e të arriturave shkencore të tij.

4. Komisioni vlerësues nuk e ka zbatuar normën ligjore të definuar me nenin 8 i Statutit të UP që thotë:

“Universiteti siguron dhe mbështetë barazinë gjinore. Në rastet kur kandidatët e gjinisë

mashkullore dhe femërore i kanë kualifikimet dhe te arriturat profesionale te barabarta, përparësi do t’i jepet kandidates femër”.

5. Poashtu nuk e ka zbatuar nenin 22 të Rregullores në fuqi që thotë:

“Komisioni vlerësues është obliguar që t’u japë përparësi kandidatëve, të cilët i plotësojnë kriteret e nevojshme dhe të cilët, bazuar në vlerësimin e përgjithshëm të aktivitetit të tyre shkencor, professional dhe akademik, janë më të mirë në krahasim me kandidatët tjerë. Komisioni dueht të arsyetojë rekomandimin e bërë në frymën e këtij paragrafi”.

Veprimtaria shkencore e kundërkandidatit tim lë për t’u dëshiruar duke patur parasysh përvojën e tij 12 vjecare në mësimdhënie e që ka rezultuar me një publikim të vetëm, me cka i plotëson veç kushtet minimale.

6. Në gazetën tuaj thuhet se kryetarja e komisionit ka deklaruar në mbledhjen e këshillit që:“Kandidatja i ka 69 abstrakte e publikime e krejt, kurse kandidati i dytë 50, dallimi nuk është i madh por kryesorja është edhe kushti minimal është plotësu” (69 vs 50). Dallimi është shumë më I madh kur kam fakte që mua më janë larguar disa publikime nga vlerësimi ( 10 sosh ) ndërsa kundërkandidatit tim I janë shtuar (4 sosh). Poashtu nuk janë evidentuar Projektet Shkencore Ndërkombëtare, ku në 3 prej tyre kam qenë Koordinator Nacional i zgjedhur nga Shoqata Evropiane e Anesteziologëve. Nuk është cekur askund që për 6 vite kam qenë anëtare e Këshillit të SHoqatës Evropiane të anesteziologëve.

7. Si duket këto janë arsyet pse komisioni vlerësues nuk ka guxuar të vlerësojë me pikë sipas rregullores, sepse pikët do të tregonin diskrepancën e madhe në mes meje dhe kundërkandidatit tim, gjë që shihet me një observim të thjeshtë të tabelës kryesore të vlerësimit (Përmbledhje e aktivitetit shkencor).

FALSIFIKIMET E  KUNDËRKANDIDATIT

1.Përvetësim i prezentimit tim :

Placenta percreta me invasion në fshikzën urinare, reanimimi –transfuzioni masiv pa komplikime.  A. Geci,  F. Sada, A.Balaj, Sh. Azizi  – Konferenca e V-të  Ndërkombëtare e Anesteziologjisë;  Tiranë, Mars 2005.

Në këtë prezentim është paraqitur kundërkandidati im Dr Fatos Sada si autor i parë, nga komisioni vlerësues.  Poashtu edhe në CV e tij zyrtare në web faqe të Fakultetit të Mjekësisë figuron si autor i këtij publikimi. https://mjekesia.uni-pr.edu/getattachment/Ballina/Personeli/Personeli-akademik/Asistente/Fatos-Sada/CV_Fatos-Sada.pdf.aspx Dëshmitë ( Programi i Konferencës ) janë në dosjen e dokumentave për aplikim në konkurs, të deponuara pranë Fakulteti të Mjekësisë . Poashtu këto dëshmi i keni të bashkangjitura edhe në këtë shkrim,  ku shihet qartë që kundërkandidati im është koautor dhe jo autor.

2. Prezentim i rrejshëm i publikimit si Koautor në një hulumtim multicentrik ndërkombëtar:

” Intraoperative transfusion practices in Europe “  J. Meier,  D. Filipescu,  S. Kozek-Langenecker,  J. Llau Pitarch,  S. Mallett, P. Martus,  I. Matot, the ETPOS collaboratorsBJA: British Journal of Anaesthesia, Volume 116, Issue 2, February 2016, Pages 255–261,

https://academic.oup.com/bja/article/116/2/255/2566115

https://bjanaesthesia.org/article/S0007-0912(17)30485-3/fulltext

Për këtë keni dëshmi edhe linkun me  publikimin e plotë  ku emri I Dr Fatos Sadës  madje as Kosova nuk figuron fare ( ETPOS Collaborators). Madje në këtë publikim ( ETPOS) është thirrur edhe Prof  Kemal Tolg Saracoglu në vlerësimin që ia bën kundërkandidatit tim.

3. Është e dyshimtë nëse e posedon monografinë të publikuar sipas Rregullores, pasiqë në vlerësim nuk është shënuar fare shtëpia botuese edhe pse komisioni ka qenë I obliguar t’a shënojë.

4. Është evidente që 3 prezentime të kundërkandatit tim janë vlerësuar nga 2 herë, edhe pse është i njëjti prezentim dhe e njëjta konferencë, por njëherë në gjuhën shqipe dhe njëherë në gjuhën angleze dhe janë llogaritur si dy prezentime. Sic shihet komisioni vlerësues është munduar ta rrisë sadopak veprimtarinë shkencore të kundërkandidatit.

Për shkak të shkeljeve të paraqitura në ankesën time, Komisioni I Ankesave dhe Këshilli I Fakultetit të Mjekësisë më dt. 17.01.2020 e kanë kthyer lëndën në rivlerësim, duke ju “propozuar komisionit recenzues që të shkruajnë recension për kandidatin që I plotëson kushtet dhe kandidatin që nuk I plotëson kushtet sipas akteve në fuqi”. Besoj që komisioni vlerësues dhe Këshilli I Fakultetit të Mjekësisë do të reflektojnë dhe nuk do të lejojnë shkelje të akteve ligjore në fuqi.

DEMANTIME TJERA

Nota mesatare në studime themelore nuk është as kusht as kriter i përzgjedhjes për pozitën e profesorit asistent sipas Statutit te UP dhe sipas Rregullores në fuqi, ju pëlqeu kjo apo jo atyre që po e përdorin si argument kundër meje.

Sa I përket notës time mesatare, është nota mesatare e një studenteje të mjekësisë e cila e ka kryer fakultetin e mjekësisë 6 vjecar  në afat ( për 6 vite),  e para e gjeneratës,  në moshën 24 vjecare , në vitin 1997.

Unë kurrë nuk jam refuzuar në doktoraturë në UP, kemi qenë një grup I madh I magjistrave të shkencave mjekësore në atë kohë të cilëve na është mohuar padrejtësisht edhe konkurimi në doktoratë. Doktorata atë kohë është lejuar vetëm për një pjesë të stafit të brendshëm të UP ( jo të gjithë).

Pjesa më e madhe e ne jo të privilegjuarve kemi përfunduar doktorata në vende të ndryshme të rajonit. Unë e kam regjistruar doktoratën në vitin 2011 në Universitetin Kiril I Metodij në Shkup sipas rregullave shumë rigoroze në atë kohë që kanë qenë magjistratura e përfunduar dhe 4 punime të publikuara. Ka patur kolegë të mi nga Kosova me notë mesatare të lartë, mirëpo nuk I kanë patur 4 publikime dhe nuk kanë mundur të regjistrohen me sistemin e atëhershëm. Doktoratën  e kam përfunduar me vlerësime suprelative nga anëtarët e komisionit  ” kemi pasë privilegjin që keni zgjedhur Universitetin tonë për të kryer doktoratën “( kam fakte video).

Doktorata ime është ide e imja, projekt I imi dhe puna ime disa vjeçare, përderisa kundërkandidati im ka doktoruar me ide dhe projekt të huaj-studim multicentrik.

Sa I përket angazhimeve që janë përmendur nga kryetarja e komisionit dhe kundërkandidati, unë kam qenë e angazhuar që nga fillimi I lëndës, syllabusin e parë të lëndës së Anesteziologjisë dhe Reanimacionit  e kemi përgatitur bashkë me  Dr Nehat Baftiun në kohën kur kundërkandidati im ishte pjesë e katedrës së kirurgjisë. Vitin e kaluar shefja e Katedrës ( tash kryetarja e komisionit vlerësues)  na ka eliminuar të gjithë specialistët me përvoje disa vjecare në mësimdhënie dhe me grada shkencore ( une dr. sci), dhe I ka angazhuar specializantët  tonë të cilët kanë qenë në fazën e edukimit për vete, për tu mbajtur ushtrime studentëve. Kështuqë nuk është e vërtetë që nuk jam pranuar unë për shkak të mesatares ( pse nuk ishte pengese 6 vitet paraprake), eliminimi im dhe I kolegëve të mi ka ardhe si pasojë e ‘pa dëgjueshmërisë’ së disave prej nesh ndaj ‘urdhërave” të shefes së Katedrës për të mbajtur orë shtesë pa pagesë. E kam dëshmi emailin ku na kërcenon me mos angazhim vitin tjetër. 

Dhe në fund sa i përket deklarimit të kundërkandidatit tim që e paskam humbur një kolegë dhe shok, nuk mendoj që është personi adekuat që duhet të flasë për kolegialitet dhe shoqëri.