Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Konkursi i politizuar: Gani Halilaj tërhiqet nga gara për drejtor të ShSKUK-së
Vetëm dy kandidatë i janë nënshtruar testit me shkrim në garën për drejtor të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës. Nga gara është tërhequr edhe kandidati Gani Halilaj, i cili i kishte plotësuar kriteret minimale të konkursit.
Për KALLXO.com, Halilaj ka thënë se kthimi në garë i Valbon Krasniqit ka qenë sinjal për të se po favorizohen kandidatë të caktuar.
“Nuk kam shku për testim. Janë pak çështjet personale por edhe për shkak të politizimit. Konkursi mori kahje politike. Pamundësia e plotësimit të kushteve nga kandidati më herët dhe rikthimi i tij në garë, si dhe tërheqjet e kandidatëve tjerë për shkak të kësaj çështje, në një farë forme e pashë që nuk ia vlen me shku fare me mundu vetën”, tha Halilaj për KALLXO.com.
Zyra për media e ShSKUK-së e kanë konfirmuar se testit me shkrim i janë nënshtruar dy kandidatë: Valbon Krasniqi dhe Basri Lenjani.
“Testit me shkrim i janë nënshtruar dy kandidatë, kurse komisioni vlerësuar ka prezantuar rezultatet të cilat janë publikuar në tabelën e shpalljeve. Procedura do të vazhdojë siç është e paraparë me legjislacionit në fuqi”, thuhet në përgjigjen e zyrës për media të ShSKUK-së.
Gani Halilaj ishte në mesin e katër kandidatëve që fillimisht i kishin plotësuar kriteret e konkursit. Dy kandidatë ishin eliminuar nga gara, duke përfshirë ushtruesin e kandidatit, Valbon Krasniqit. Më pas, Njësia e Burimeve njerëzore të ShSKUK-së e kishte lëshuar një vendim të ri që e rikthente në garë, Valbon Krasniqin që fillimisht ishte diskualifikuar për mungesë të përvojës menaxheriale. Krasniqi ka qenë kandidatë i LDK-së për deputet.
Pas rikthimit të Krasniqit nga gara janë tërhequr Saudin Maliqi dhe Driton Ukmata, të cilët poashtu i kishin plotësuar kriteret e konkursit.
“Konkursi për drejtor të ShSKUK sa e humbi kuptimin, tërhiqem nga gara e konkurrimit të mëtejmë”, pati thënë Maliqi pasi deklaroi se është larguar nga konkursi.
Ndërsa, Ukmata në një përgjigje për KALLXO.com pati thënë se ka kërkuar transparencë maksimale në garë.
“Kam kërkuar transparencë maksimale. Kam propozuar angazhimin në monitorim nga Ambasada Angleze. Kjo kërkesë duket se nuk është marrë parasysh nga bordi i SHSKUK-së apo komisioni vlerësues. Jam informuar se edhe kërkesat e shoqërisë civile, të cilat kanë kërkuar me të drejtë monitorim të procesit nuk kanë marrë përgjigje”, thuhej në e-mailin e Ukmatës.
Kërkesë për monitorim të procesit pati dërguar edhe BIRN por të njëjtit nuk u lejuan të monitorojnë, madje ekipa e BIRN-it u njoftua se nuk u lejohet të monitorojnë 20 minuta pasi filloi testimi me shkrim për kandidatët.
Në këtë rast ShSKUK ka shkelur ligjin, pasi që paragrafi 12 i nenit 34 të Ligjit për Zyrtarët Publikë lejon monitorimin nga sindikata dhe shoqëria civile.
“Komisioni i pranimit përbëhet nga të paktën 5 persona, me këtë përbërje: një (1) përfaqësues nga Njësia përgjegjëse; tre (3) nëpunës civilë të nivelit të mesëm apo të ulët, drejtues të specializuar në fushën përkatëse sipas grupit për të cilin zhvillohet konkurrimi, dhe një (1) ekspert i jashtëm në procesin e përzgjedhjes nga organizata të specializuara apo universitetet. Në cilësinë e vëzhguesve një nga sindikata dhe një nga shoqëria civile”, thuhet në paragrafin 12 të nenit 34 të Ligjit për Zyrtarët Publikë.
BIRN-i i ka dërguar edhe një shkresë bordit të ShSKUK-së për të rishqyrtuar vendimin e tyre për refuzimin e monitorimit të konkursit.
Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, tha se shoqëria civile ka të drejtë ligjore që të monitorojë konkurset. Ai ka bërë thirrje që të respektohet ligji nga ShSKUK-ja.
Hoti flet rreth refuzimit të kërkesës së BIRN-it për monitorim të konkursit për drejtor të ShSKUK-së