Konkursi i kurdisur në Trepçë, Inspektorati urdhëron rishpalljen e tij (DOKUMENT)
Shumë shkelje ligjore ka gjetur shkalla e dytë e Inspektoratit të Punës për konkursin e Ndërmarrjes “Trepça” i cili u hap në shtator të vitit 2019.
Vendimi të cilin e ka siguruar KALLXO.com, urdhëron menaxhmentin e Trepçës që të rishpall konkursin për 220 vende të punës.
Kështu, Inspektorati i Punës, shkalla e dytë, miratoi si të bazuar ankesën e Sabedin Smakollit, Alban Begut, Burim Kurtajn, Faton Dedian dhe një grupi prej 154 ankuesve të tjerë për konkursin të cilin e kishte konsideruar të rregullt shkalla e parë e Inspektoratit të Punës, dega në Mitrovicë.
“Me propozim që Organi i Shkallës së dytë i IP-së të aprovojë aneksen dhe të ndryshohet vendimi Nr. 02NR.12-33/2020B dhe të obligohet punëdhënësi të rishpall konkursin publik për pozitat në fjalë”, thuhet në vendim.
Disa prej shkeljeve sipas shkallës së dytë të Inspektoratit ishin edhe rritja e numrit të të pranuarve nëpër pozitat për të cilat ishin hapur në konkurs. Kështu, siç thuhet në vendim, në konkurs për pozitën punëtor prodhimi në Stan Tërg ishin shpallur 120 pozita por në listat përfundimtare ishin pranuar 144 kandidatë.
Emisioni “Jeta në Kosovë” ka bërë një hulumtim të gjatë për parregullsitë në këtë konkurs.
Hulumtimi i “Jeta në Kosovë” ka zbuluar sesi katër persona ishin pranuar në listat e kandidatëve të suksesshëm pa hyrë fare në test ndërsa dy të tjerë edhe pse nuk e kishin kaluar testin, ishin ndër të parët në listat e të pranuarve në punë.
Përveç kësaj, dy anëtarëve të Bordit Mbikëqyrës, Esat Peci e Shqyeri Sadiku, u janë punësuar familjarët në konkursin e fundit në Trepçë.
Një familjar, sipas hulumtimit, i është punësuar edhe ish-kryeshefit ekzekutiv, Basri Ibrahimi.
Konkursi i kurdisur në Trepçë dhe rekomandimet e BE-së për zgjedhjet e ardhshme
Për disa ditë rresht edhe disa prej kandidatëve për punë në këtë konkurs kishin protestuar pranë zyrave të menaxhmentit të Trepçës.