Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, Foto: KALLXO.com

Konjufca: Vuçiqi nuk mund të mos ketë ditur për sulmin në Banjskë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, teksa ka folur për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë, ka thënë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, “nuk mund të mos ketë ditur për këtë sulm”.

Konjufca ka thënë se ka fakte të bollshme për përfshirje të institucioneve shtetërore të Serbisë në atë sulm.

“Ka fakte të bollshme për përfshirje të institucioneve shtetërore të Serbisë në atë sulm i cili ishte edhe terrorist, por në të njëjtën kohë mund ta quajmë edhe akt të agresionit meqë nuk ishte thjesht një grup privat aty. Faktet edhe të inteligjencës, edhe të institucioneve të tjera të sigurisë dhe të gjitha institucioneve shtetërore tregojnë që presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, nuk mund të mos ketë ditur për këtë sulm”- ka thënë ai.

Ndërsa ka shtuar se Vuçiq e kontrollon atë që quhet shteti i thellë në Serbi, prej mekanizmave të inteligjencës deri te sektori i sigurisë.

“Në momentin që je personaliteti kryesor shtetëror edhe politik i vendit siç ndodh me Vuçiqin në Serbi, i cili jo vetëm që pretendon se është zgjedhur përmes zgjedhjeve demokratike, por edhe ka metoda dhe mekanizma jashtinstitucionalë se si e mban pushtetin, për një njeri të tillë i cili e kontrollon atë që quhet shteti i thellë në Serbi prej mekanizmave të inteligjencës e deri te krejt sektori i sigurisë, vetëdija që një sulm i tillë do të ndodhë është i barabartë me organizimin e tij”- ka thënë Konjufca në Klan Kosova.

Ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, e ka marrë përgjegjësinë për ngjarjet në Banjskë të Zveçanit të datës 24 shtator, ku në orët e para një patrullë e Policisë së Kosovës ishte sulmuar me mjete shpërthyese, ndërsa rreshteri i Policisë, Afrim Bunjaku ishte vrarë, një polic tjetër ishte plagosur dhe një tjetër ishte lënduar në këtë sulm.

Millan Radoiçiq, tashmë ka zënë vend në listën e personave të cilët kërkohen nga INTERPOL-i. Kjo pasi që i njëjti dyshohet për vepra të ndryshme penale e që ndërlidhen edhe me terrorizëm.