Konjufca viziton BIK-un, i falënderon për organizimin e jetës fetare në Kosovë
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka zhvilluar një vizitë në Bashkësinë Islame të Kosovës, ku është takuar me myftiun Naim Tërrnava dhe ka uruar gjithë besimtarët myslimanë për festën e Fitër Bajramit.
“Jemi këtu në Bashkësinë Islame të Kosovës, së bashku me myftiun Naim Tërrnava, për të ju uruar Fitër Bajramin, një festë me të vërtetë e rëndësishme për të gjithë besimtarët myslimanë. Shfrytëzoj rastin që të jua uroj të gjithë besimtarëve myslimanë kudo që jetojnë këtë festë”, ka thënë Konjufca.
Konjufca falënderoi myftiun Tërrnava për kontributin që ka dhënë BIK-u për organizimin e jetës fetare në Kosovë.
“Falënderova myftiun për kontributin e jashtëzakonshëm e shumë pozitiv që e ka dhënë gjithmonë BIK për organizimin e jetës fetare por edhe organizimin e islamit në shoqërinë tonë. Ky rol pozitiv i BIK ka qenë tradicionalisht kështu”, tha Konjufca.
Tutje, kryeparlamentari gjithashtu falënderoi BIK që po vazhdojnë të kultivojnë solidaritet e mbarësi.
“Falënderova gjithashtu që po kultivojnë dhe po vazhdojnë të kultivojnë njërën prej virtyteve i cili po tretet në çdo shoqëri të botës, e kjo është solidariteti dhe mbarësia. BIK po luan një rol të jashtëzakonshëm për tu vlerësuar nga populli jonë në aspektin e bamirësisë. Ata që janë më së shumti në nevojë që të kenë kujdesin edhe të shtetit por edhe të BIK”, shtoi Konjufca.
Pas përfundimit të muajit të Ramazanit, besimtarët e fesë islame kremtojnë sot festën e Fitër Bajramit.