Konjufca tregon se përse abstenoi në votimin e projektligjit për Byronë Shtetërore

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka treguar se përse ka abstenuar javën e kaluar kur u hodh në votim projekltigji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Konjufca ka thënë se pasi i ka lexuar opinionet e komisionit të Venecias dhe pasi vet ai e ka dërguar për vlerësim këtë projektligj, ka abstenuar dhe do të abstenoj duke shtuar se do të pres deri në përfshirjen e opinioneve të komisionit në lexim të dytë.

“Pasi i kam lexuar me vëmendje, opinionet e këtij komisioni, kam konstatuar që meqenëse vet jam bërë garant i dërgimit të këtij projektligji në këtë komision, është edhe arsyeja pse kam abstenuar dhe kështu do të bëjë edhe sot sepse më duket shumë korrekte meqenëse vet e kam dërguar, të pres deri në përfshirjen e këtyre opinioneve në lexim të dytë nga komisioni funksional.”, ka deklaruar Konjufca.

Kuvendi i Kosovës, në seancën e javës së kaluar nuk ka pasur kuorum për të kaluar Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Votimi i projektligjit për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pa justifikueshme ishte shtyrë në seancën e Kuvendit e cila ishte mbajtur në shkurt të këtij viti, për një afat të pa caktuar, deri në kthimin e përgjigjes nga Komisioni i Venedikut.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca me kërkesë të opozitës pati thënë se do t’i drejtohet Komisionit të Venedikut për këtë projektligj.