Konjufca: Transparenca dhe llogaridhënia parakushte për funksionimin e demokracisë
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se institucioni që ai drejton synon ta bëjë promovimin e demokracisë dhe të jetë sa më transparent.
Këto deklarime Konjufca i bëri në Forumin e Transparencës parlamentare në kuadër të ditës së demokracisë.
“Kuvendi i Kosovës, ngjashëm sikurse viteve të tjera, në këtë ditë organizon aktivitete që kanë për qëllim hapjen e Kuvendit për të gjithë qytetarët, ata të cilët e bëjnë të mundur jetësimin e zgjedhjeve dhe qeverisjen demokratike”- ka thënë Konjufca.
Në komunikatën për media të Kuvendit të Kosovës, bëhet e ditur se Konjufca ka thënë se me anë të shënimit të kësaj dite synohet të vihen në pah arritjet shoqërore dhe vlerat e demokracisë në sistemet e qeverisjes demokratike.
“Kuvendi synon që ta bëjë promovimin e demokracisë, ta hap dhe ta bëjë sa më transparent këtë institucion. Transparenca dhe llogaridhënia janë parakushtet kryesore për funksionimin e demokracisë. Po ashtu, synojmë që t’i bëjmë sa më llogaridhënëse institucionet publike”- citohet të ketë thënë Konjufca në komunikatën për media.
Të pranishmëve iu adresua edhe drejtorja e NDI-së për Kosovë, Nancy Soderberg, e cila duke uruar për Ditën e Demokracisë, tha se ndjehet krenare për punën e përbashkët dhe për arritjet që Kosova ka shënuar ndër vite.
“Jam krenare për punën që SHBA-të kanë bërë në mbështetje të lirisë dhe demokracisë së Kosovës, si dhe për arritjet që Kosova ka shënuar në ndërtimin e një demokracie sa më të fuqishme përgjatë njëzet viteve”- theksoi Soderberg.
Po ashtu, edhe koordinatorja e Ekipit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNKT), Arnhild Spence, në fjalën e saj theksoi se Dita e Demokracisë shënon një ngjarje shumë të rëndësishme për Kosovën, duke e vënë fokusin e saj te funksionimi i lirë i medias dhe tek objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm.
“Për Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, ne duam të theksojmë rëndësinë e një medie të lirë e plurale për të luftuar lajmet e rrejshme dhe gjuhën e urrejtjes. Pastaj, objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm kanë për qëllim të mos e lënë askënd prapa”- theksoi Spence.
Shënimi i Ditës së Demokracisë, vazhdoi me panairin e shoqërisë civile, pastaj me garën e lojës së shahut nga personat e verbër, për t’u përfunduar edhe me aktivitete tjera që afirmojnë demokracinë.