Konjufca thotë se LDK-ja është rebeluar, Gashi i kundërpërgjigjet: VV-ja e ka gjuajtur me zollë Kuvendin

“LDK-ja është çartë diçka. LDK-ja është rebeluar dhe për kurrfarë kushti s’po voton kurrfarë ligji”. Kështu tha kryeparlamentari, Glauk Konjufca, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit më 28.10.2024, në lidhje me mosvotimin e ligjeve nga opozita. 

Sipas Konjufcës, në legjislaturën mes viteve 2011-2014, sa qeveriste Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ndonëse kishin më pak deputetë si pozitë, LDK-ja ua votonte ligjet e propozuara, për dallim nga tash që nuk i votojnë ligjet që propozohen nga Qeveria e drejtuar nga LVV-ja.

Për këtë, ka reaguar shefi i Grupit parlamentar i LDK-së, Arben Gashi, i cili këtë deklaratë të Konjufcës e quajti “të turpshme”, duke ia përmendur disa nga veprimet e LVV-së kur kjo parti ishte në opozitë.  

“Ta quash rebelim një sjellje normale parlamentare, kjo është e turpshme. Nga kush? Nga Vetëvendosja që ka gjuajtur me zollë në Kuvend;  Vetëvendosja që e ka gjuajt kryeministrin në fytyrë me gaz lotsjellës; që i ka gjuajt deputetët me gaz lotsjellës; që e ka pamundësu çdo vendimmarrje. Ata me na qujat neve rebelë?”- reagoi Gashi. 

Përveç kësaj, Gashi i LDK-së, ndër të tjera ka folur edhe për mbështetjen e votimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, për çka tha se nëse votat merren me shumicë të kualifikuar në Kuvend, LDK i përkrahë këto marrëveshje. 

“Mbetet të shihet nëse Lëvizja Vetëvendosje i ka votat e nevojshme për të kaluar vendimet të cilat merren me shumicë të thjeshtë. Sa i përket vendimeve të cilat merren me shumicë të kualifikuar, siç janë marrëveshjet ndërkombëtare, Lidhja Demokratike e Kosovës, ka deklaruar dhe konfirmon se qëndron prapa vendimit të saj që marrëveshjet ndërkombëtare i përkrahë dhe do t’i kalojë ato për aq sa varet nga Lidhja Demokratike e Kosovës”- tha Gashi. 

Në anën tjetër, Gashi tha se nëse Kuvendi nuk ka fuqi vendimmarrëse sa i përket kësaj, atëherë përgjegjësia i mbetet kryeministrit, Albin Kurti, ngase siç thotë ai, ka disa muaj që Kuvendi nuk merr vendime dhe ka katër seanca të jashtëzakonshme që Lëvizja Vetëvendosje  nuk merr pjesë. Po ashtu, sipas tij, nuk funksionojnë as komisionet hetimore parlamentare për shkak të pengesave të partisë në pushtet. 

“Të mërkurën dhe të enjten mbetet të shihet nëse Lëvizja Vetëvendsje ka arritur të gjejë diku një apo dy deputetë për të garantuar funksionimin dhe kalimin e nismave të tyre parlamentare”- është shprehur Gashi.  

 Ndërkaq, për buxhetin që pritet të dalë në votim në Kuvend, Gashi thotë se do të marrin pjesë në senacë dhe do të japin rekomandime në Kuvend. 

Patjetër që do të qëndrojmë, patjetër që do të debatojmë, patjetër që do të japim propozime, patjetër që do të japim rekomandime dhe në fund do të shohim se çfarë buxheti është”- është deklaruar Gashi, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, të hënën më 28.10.2024.