Konjufca thotë se do t'i drejtohet Kushtetueses për refuzimin e Presidentit për shkarkimin e ambasadorëve

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, ka folur lidhur me vendimet e tij për shkarkimet e disa ambasadorëve dhe kompetencat e Presidentit për t’i ndalur këto shkarkime.

Anëtari i Komisionit për Punë të Jashtme, Enver Hoxhaj nga PDK në raportimin e ministrit Konjufca ka thënë se ky i fundit e ka dëmtuar punën e tij ditore me propozimin për shkarkimin e ambasadorëve

Sipas Hoxhajt, duke i marrë parasysh zhvillimet e fundit në raportet më SHBA-në , vendimi për shkarkimin e ambasadores Vlora Çitakut e rëndon edhe më shumë situatën.

Ndërsa ministri Konjufca tha se është duke e përmirësuar diplomacinë e Kosovës, ndërsa për raportet me Çitakun, Konjufca konfirmoi se janë duke zhvilluar vazhdimisht biseda.

“Nëse doni me ditë unë jam duke përmirësu atë që keni lanë dje. Unë kam bisedu me zonjën Çitaku vetëm dje kam bisedu dy herë”, tha Konjufca.

Ndërsa për refuzimin e Presidentit për ta shkarkuar ambasadoren Çitaku, Konjufca tha se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

“Presidenti nuk ka të drejtë të vetos në këtë çështje. Nëse presidenti do me shku në Gjykatë Kushtetuese për këtë punë unë jam shumë i gatshëm e di që e dëmton shtetin e Kosovës por e kisha ftu Presidentin që mos ta dëmtojë. Presidenti është njoftu për këto çështje”, tha ai.

Konjufca tutje në raportimin e tij para Komisionit për Punë të Jashtme ka falënderuar ambasadoren Çitaku për kontributin e saj.

“Deshta të ia jep një mirënjohje të veçantë zonjës Çitaku. Edhe ajo e ka lexu frymën e ligjit në mënyrën qysh po e shpjegoj. Është e vetmja që ka deklaru se do kthehet e nuk do të hyjë në betejën mes Presidentit e ministrit”, tha ai.

Më 3 mars të këtij viti, ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca ka marrë vendim për shkarkimin e disa ambasadorëve duke përfshirë edhe ambasadoren Vlora Çitaku.

Përveç Çitakut, Konjufca ka shkarkuar edhe Edon Canën, Lirim Grejçevcn, Shpend Kallabën, Mimoza Ahmetajn, Ylber Hysën si dhe Ramadan Avdiun.

Këtë vendim të Konjufcës e pranoi edhe ambasadorja Çitaku duke thënë që nuk do të lejoj të bëhet ‘lojë’ mes Presidentit dhe qeverisë.

Nga zëdhënëse e PDK-së në Ambasadore në SHBA, rrugëtimi i Vlora Çitakut