Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Konjufca tha se "ajo qëndroi vetëm 10 sekonda në seancë", Albena Reshitaj thotë se priti 30 minuta në bufe për t’u kthyer opozita

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albena Reshitaj, mohoi deklaratën e kryeparlamentarit Glauk Konjufca, i cili sot tha se ajo ka qëndruar në seancë vetëm 10 sekonda, prandaj kërkoi edhe që të mos i takojë mëditja.

Reshitaj tha se ka shkuar në Kuvend me gjysmë ore vonesë, pasi që ka qenë në Universitetin e Prishtinës, ku punon si profesoreshë asistente. Sipas saj, pasi që është nënshkruar ka parë që nuk është opozita aty dhe ka shkuar në bufe ku ka pritur 30 minuta.

“Kam hyrë në sallë, jam nënshkruar edhe jam ulur aty. Në momentin që e kam parë që s’është opozita, kam dalë në bufe, kam pyet “çka ka ndodhur?” edhe kam pritur mos po kthehen” – tregoi deputetja për KALLXO.com.

Ajo shtoi se ka menduar se opozita mund të kthehet për pikat e tjera, prandaj ka pritur, mirëpo pasi që ka parë që nuk po kthehen, është larguar edhe ajo.

“Sepse unë nuk kam ndonjë kontakt me ta që me e ditë se çfarë vendime marrin, meqë funksionoj pak a shumë si vet” – shtoi Reshitaj.

Deputetja shprehu “keqardhje” për deklaratën e Konjufcës, duke thënë se më së paku shkon në Kuvend për mëditje.

“Më së pakti unë shkoj aty për mëditje, sepse kam angazhime e mundësi për me punu ashtu qysh jam duke punu në dy drejtimet, edhe në mjekësi, edhe në Kuvend” – tha Albena Reshitaj.

Opozita sot lëshoi seancën e Kuvendit për shkak të pakënaqësive që kishin me ndryshimin e rendit të ditës.

Lëvizja Vetëvendosje përmes një mocioni kërkoi të tërhiqen nga rendi i ditës tri marrëveshje ndërkombëtare për shkak të mungesës së votave të nevojshme për ratifikimin e tyre.

Albena Reshitaj kishte dalë kundër partisë së saj dy herë. Ajo kishte marrë pjesë në seancën e jashtëzakonshme për votimin e presidentit të vendit, ndonëse kreu i partisë së saj, Ramush Haradinaj, kishte deklaruar se AAK nuk do të marrë pjesë aty.

Deputetja Reshitaj doli edhe kundër vendimit të AAK-së, duke votuar për vazhdimin e masave emergjente të energjisë elektrike, përderisa deputetët e tjerë të kësaj partie lëshuan sallën.