Konjufca: Tërheqja e mjeteve nga Trusti e dëmton skemën pensionale

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se nuk ka asnjë vend në botë që tërheq mjetet e Fondit të Kursimeve Pensionale (Trustit).

I ftuar në emisionin ‘Context’ të ATV-së, Konjufca e ka quajtur të gabuar idenë e tërheqjes së mjeteve nga Trusti, pasi me këtë, sipas tij, do të dëmtohej edhe skema e mjeteve pensionale.

“Me këtë shkatërrohet Trusti. Heqja e qindra miliona eurove të Trustit do të dëmtojë skemën, por edhe besueshmërinë e Kosovës në skenën ndërkombëtare”, ka deklaruar Konjufca.

“Nuk e di ndonjë vend tjetër në botë që e tërheq Trustin 30%. Nëse e gjen ndonjë vend në botë, atëherë ne mund të debatojmë se çka ka ndodhur me atë shtet”, shtoi ai.

Ai tha se herën e parë kur është lejuar tërheqja e 10% të Trustit nuk i kishte tërhequr mjetet.

Konjufca gjithashtu ka komentuar ndërprerjen e sotme të seancës, ku pritej votimi i Projektligjit për tërheqjen e 30 për qind të mjeteve të qytetarëve nga Fondi i Kursimeve Pensionale.

Ai deklaroi se ka mungesë sinqeriteti nga ana e opozitës pasi, sipas tij, i voton ligjet që vetëm atyre u konvenojnë.

I pyetur se a do të ketë pasoja politike për Lëvizjen Vetëvendosje nëse nuk kalon Projektligji për tërheqjen e një pjese të mjeteve nga Trusti, Konjufca tha se mendon se nuk do të duhej të ndëshkoheshin deputetët.