Konjufca: Të gjitha partitë po dëshirojnë të bashkëpunojnë me Vetëvendosjen

Ish- ministri i Punëve të Jashtme i Qeverisë Kurti, Glauk Konjufca, ka thënë se të gjitha subjektet politike po dëshirojnë të bashkëpunojnë me Vetëvendosjen.

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova tha se vetëm edhe NISMA ka mbetur të deklarohet për bashkëpunim me LVV-në.

“Krejt po donë të bashkëpunojnë me ne. Vetëm edhe NISMA ka mbet të deklarohet që të krijohet “kori gazmor””, tha Konjufca.

Ai tha se PDK-ja e sheh Vetëvendosjen si rivalin kryesor dhe nuk mund të bashkëpunojnë si opozitë.

Ndërsa, për postin e presidentit Konjufca thotë se ata nuk synojnë postin e presidentit por shkuarjen në zgjedhje para zgjedhjes së presidentit.

“Vetëvendosje e ka shumë lehtë sepse presidentin nuk e ka kërkuar asnjëherë”, thotë Konjufca.