Konjufca takon senatorët amerikanë Chris Murphy dhe Gary Peters
Kryetari i Kuvendit së Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga shefi i Kabinetit, Ilir Kërçeli, ka pritur sot në takim senatorët amerikanë Chris Murphy dhe Gary Peters, të shoqëruar nga ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
Sipas komunikatës për media të zyrës të Kuvendit, në takim është biseduar për zhvillimet politike në vend dhe rajon, integrimin në institucionet euro-atlantike dhe organizata e mekanizma ndërkombëtarë, si dhe për avancimin e bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Konjufca, sipas komunikatës, ka vlerësuar marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe, miqësinë e përhershme, partneritetin e palëkundur dhe aleancën strategjike mes shteteve dhe popujve tanë.
“Ai theksoi se mbështetja e SHBA-së është qenësore për proceset e rëndësishme nëpër të cilat po kalon Republika e Kosovës. Gjithashtu përsëriti qëndrimin e shtetit të Kosovës, mbështetur edhe në garancinë e Departamentit të Shtetit, se nuk mund të formohet kurrfarë asociacioni apo ndonjë mekanizëm tjetër që cenon sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetutës të Republikës së Kosovës”- thuhet në njoftimin e Kuvendit.
Konjufca ka falënderuar senatorët Chris Murphy dhe Gary Peters për angazhimin e tyre personal në proceset politike.
“Kryetari Konjufca dhe senatorët amerikanë konstatuan se marrëdhënia mes Kosovës dhe SHBA-së është speciale dhe shprehën përkushtimin për fuqizimin e mëtejmë të bashkëpunimit dhe avancimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”- thuhet tutje në njoftim.
Senatorët amerikanë, Chris Murphy dhe Gary Peters, kanë qëndruar sot në Kosovë, ku janë takuar me presidenten Vjosa Osmani dhe me kryeministrin Albin Kurti.
Senatorët, Chris Murphy dhe Gary Peters i përkasin Partisë Demokratike.
Senatorët amerikanë flasin për Asociacionin: Është viti kur duhet të kryhet kjo çështje