Konjufca takon Lajçakun, i kërkon që Sllovakia ta njohë Kosovën

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, ka takuar sot homologun e tij sllovak, Miroslav Lajçak.

Këtë e ka bërë të ditur Konjufca përmes një postimi në Facebook, ku ka shtuar se ka kërkuar ndihmën e tij që pesë vendet e BE-së ta njohin Kosovën.

“Ndër tjera e kam falenderuar Ministrin Lajçak për mbështetjen që Sllovakia i ka dhënë procesit të integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, si dhe për qëndrimin mbështetës rreth procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Gjithashtu kam theksuar se është me rëndësi që pesë vendet e Bashkimit Evropian përfshirë Sllovakinë, të lëvizin drejt njohjes së Republikës së Kosovës”, ka thënë Konjufca.

Sipas tij, Lajçak ka theksuar se përkundër faktit që Sllovakia nuk e ka njohur Republikën e Kosovës, Qeveria e Sllovakisë e mbështet rrugën e Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Europian dhe liberalizimin e vizave.

“Unë e kam theksuar në këtë takim se Qeveria e Republikës së Kosovës nuk i shmanget dialogut dhe është e gatshme për këtë. Në të njejtën kohë unë kam bërë të ditur se Serbia e ka keqpërdorur dialogun në lobimin për çnjohjen e Republikës së Kosovës duke e paraqitur dialogun për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve si dialog për statusin e Kosovës dhe kjo nuk duhet të lejohet më”, ka shtuar ai.

Në fund të takimit, Konjufca tha se i ka dorëzuar ministrit Lajçak një listë me rastet konkrete ku Serbia aplikon njëanshëm barriera jotarifore.

Lajçak është raportuar të jetë i dërguari special i BE për dialog, por zyrtarisht ende nuk është konfirmuar nga BE.