Konjufca takon delegacionin austriak, flasin për bashkëpunim ndërparlamentar

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka pritur në takim delegacionin e Parlamentit të Austrisë të kryesuar nga deputetët Martin Engelberg e Carmen Jeitler Cincelli dhe shoqëruesit Kevin Kaiser, Danielle Spera e George Hans Jeitler.

Sipas komunikatës së dërguar nga Kuvendi, deputetët austriak e kanë uruar Konjufcën për marrjen e detyrës së re.

“Ata konfirmuan gatishmërinë e Republikës së Austrisë, në veçanti të Parlamentit austriak, për vazhdimin e bashkëpunimit bilateral, shkëmbimin e përvojave dhe fuqizimin e mëtejmë të miqësisë në mes të dy shteteve”, thuhet në komunikatë.

Kryeparlamentari Konjufca falënderuar deputetët austriak për ndihmën që shteti i tyre ia ka dhënë Kosovës.

“Teksa falënderoi delegacionin nga Austria, i shprehu mirënjohje Kuvendit dhe shtetit austriak për kontributin ndaj shtetit tonë, duke theksuar se Austria nuk është vetëm një shtet mik i dëshmuar historikisht, por edhe mbështetëse e Kosovës në rrugën euro-atlantike”, thuhet tutje aty.

Konjufca poashtu i ka njoftuar deputetët austriak lidhur me konstituimin  e Legjislaturës VIII të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Ai u zotua se legjislatura e re do të garantojë më shumë stabilitet politik e institucional, efikasitet në punën legjislative të Kuvendit, por edhe më shumë përgjegjësi e llogaridhënie të klasës politike”, thuhet në komunikatë.

Duke folur për fusha konkrete të bashkëpunimit, Konjufca ka përmendur miratimin e vazhdimit të Programit të Kuvendit për Edukimin Qytetar të themeluar dhe mbështetur nga parlamenti austriak, i cili është projekt për fëmijët e shkollave fillore dhe të mesme.

Në takim, sipas komunikatës, u vlerësua lart puna e deritashme e grupeve të miqësisë ndërparlamanetare dhe u shtrua nevoja e avancimit të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.