Foto: Glauk Konjufca, Jeff Hovenier/Facebook

Konjufca takon ambasadorin e SHBA-së: Miqësia dhe partneriteti mes vendeve tona mbeten postulate të palëkundura

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, gjatë ditës ka pritur në takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier dhe Alyson Grunder, zëvendësshefe e Misionit.

“Sot pata kënaqësinë të mirëpres në një takim tejet miqësor Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, z.Jeffrey M. Hovenier dhe znj.Alyson Grunder, Zëvendës Shefe e Misionit. Me këtë rast, znj.Grunder i dëshirova mirëseardhje në vendin tonë dhe i urova suksese në detyrën e re” – u shpreh Konjufca.

Tutje, Konjufca theksoi se mysafirët i ka falënderuar për përkrahjen e SHBA-së për Kosovën.

“Po ashtu, Ambasadorin Jeff Hovenier dhe Zëvendës Shefen e Misionit, Alyson Grunder, i falënderova për përkrahjen dhe mbështetjen e gjithanshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë dhe vazhdojnë t’i japin Republikës së Kosovës” – shtoi ai.

Kryetari i Kuvendit shtoi se miqësia mes dy vendeve mbetet e palëkundur.

“Miqësia e dëshmuar dhe partneriteti shembullor ndërmjet popujve dhe shteteve tona mbeten postulate të palëkundura, siç mbetet i palëkundur përkushtimi i Republikës së Kosovës për thellimin e marrëdhënieve dhe bashkërendimin e objektivave me Shtetet e Bashkuara të Amerikës” – ka shtuar më tej Konjufca.