Ambasadori i BE-së Tomas Szunyog dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, Foto: Kuvendi i Kosovës, 20 tetor 2021

Konjufca takon ambasadorin e BE-së, pranon nga ai Raportin e Progresit  

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, nga i cili ka pranuar Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën dhe Pakon e Zgjerimit të Bashkimit Evropian 2021.

Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se Konjufca vlerësoi bashkëpunimin dypalësh dhe kontributin e Bashkimit Evropian për perspektiven evropiane të Kosovës.

“Ai po ashtu nënvizoi progresin e theksuar në implementimin e reformave që kontribuojnë në procesin integrues të Kosovës në BE, duke veçuar me këtë rast si shembull për demokracinë në rajon e më gjerë mbajtjen e dy palë zgjedhjeve të lira e demokratike brenda këtij viti”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, Shefi i Zyrës së BE-së, ambasadori Szunyog thuhet se ka shprehur mirënjohje për frymën bashkëpunuese dhe rikonfirmoi gatishmërinë për intensifikimin e bashkëpunimit në drejtim të avancimit të legjislacionit, sundimit të ligjit dhe shtyrjes përpara të agjendës së përbashkët evropiane.

Raportin e Progresit të martën ambasadori i BE-së ia ka dorëzuar edhe presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti.

Në Raportin e Progresit të publikuar të martën, mes tjerash thuhet se Kosova duhet të angazhohet në mënyrë konstruktive dhe të bëjë përpjekje të mëtejshme thelbësore në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të kaluara dhe të kontribuojë në arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit ligjërisht të detyrueshme me Serbinë.

“Një marrëveshje e tillë është urgjente dhe vendimtare në mënyrë që Kosova dhe Serbia të përparojnë në rrugët e tyre përkatëse evropiane”, theksohet në këtë dokument.