Glauk Konjufca dhe presidenti i APKE-së, Tiny Kox. Foto: Kuvendi i Kosovës
Konjufca takoi Presidentin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, folën për anëtarësimin e Kosovës në KE
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, dhe delegacioni i Kuvendit, kanë zhvilluar sot në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE) disa takime me drejtues të lartë të APKE-së, të grupeve politike e të komiteteve.
Në ditën e parë në Strasburg të Francës, Konjufca u prit në një takim të veçantë nga Presidenti e APKE-së, Tiny Kox dhe Sekretarja e Përgjithshme, Despina Chatzivassiliou.
Gjatë takimeve u kuptua rëndësia dhe domosdoshmëria e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, përderisa Konjufca ka kërkuar mbështetje në këtë proces.
“Në këto takime u diskutua për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, rëndësinë dhe mbështetjen e nevojshme, për të siguruar që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës, progresin në respektimin dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit, gjë që dëshmohet nga raporte ndërkombëtare, si dhe tema të tjera me interes për thellimin e bashkëpunimit me Këshillin e Evropës”- thuhet në njoftimin e Kuvendit.
Sipas njoftimit, Konjufca ishte i shoqëruar nga nënkryetarja e Kuvendit dhe kryesuese e delegacionit, Saranda Bogujevci, si dhe anëtarët e tjerë, deputetët Enis Kervan, Besnik Tahiri dhe Ariana Musliu Shoshi.
Vizita në Strasburg po zhvillohet në kuadër të punimeve të seancës vjeshtore të APKE-së, e cila po mbahet në datat 23-27 janar.
Gjatë ditës së sotme para deputetëve me një fjalim u adresua kryetarja e delegacionit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, njëherësh nënkryetare e Kuvendit, Saranda Bogujevci.
Sipas njoftimit, Bogujevci ka folur në emër të grupit të Socialistëve, Demokratëve dhe të Gjelbërve lidhur me dhunën seksuale në luftë dhe konflikt.
Gjatë ditës së nesërme kryetari Glauk Konjufca do të zhvillojë një sërë takimesh të tjera me kryesues të grupeve dhe delegacione të parlamenteve të ndryshme, pjesëmarrëse në Asamble.