Konjufca takohet me shefin e EULEX-it, flasin për sundimin e ligjit në Kosovë
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca është takuar me shefin e Misionit të Bashkimit Europian për Sundim të Ligji në Kosovë – EULEX, Giovanni Pietro Barbano.
Sipas një njoftimi të Kuvendit, në takim u diskutuan çështje të bashkëpunimit midis Republikës së Kosovës dhe EULEX-it, “sa i përket fushës së sundimit të ligjit, nga perspektiva e aktualitetit dhe synimeve të përbashkëta për ligjshmëri të kudogjendur, demokraci vibrante dhe stabilitet afatgjatë.”
“Bashkëbiseduesit theksuan gatishmërinë e tyre për bashkëpunim të vazhdueshëm e gjithnjë e më substancial, me qëllimin përparimin gjithnjë e më të madh në drejtim të sundimit të ligjit” – u tha tutje.
Gjithashtu u shtua se kryetari Konjufca e falënderoi Giovanni Pietro Barbano për vizitën, duke e vlerësuar kontributin e Misionit të BE-së në Kosovë.
“Ai u shpreh se ky kontribut i ka dhënë efektet e tij edhe në kapacitetet e Republikës së Kosovës për t’u përballur me të gjitha sfidat që gjenden përpara” – theksohet më tej.
Shefi i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, po ashtu thuhet se e ka falënderuar kryetarin Konjufca për pritjen, “duke shprehur gatishmëri dhe angazhimin për bashkëpunim gjithnjë e më të thellë në drejtim të sundimit të ligjit.”