Konjufca takohet me Raportuesin e ri për Kosovën në Parlamentin Europian, flasin për rrugën drejtë BE-së e sulmin në Ibër-Lepenc

Kryetari i Kuvendit të Kosovës u takua me Raportuesin e ri për Kosovës në Parlamentin Europian, Riho Terras.

Në komunikatën e Kuvendit të Kosovës thuhet se Konjufca e falënderoi Terrasin për vizitën dhe i uroi suksese në detyrën e re.

Konjufca sipas komunikatës tha se përmes bashkëpunimit mes institucioneve të Kosovës dhe Terrasit, do të ecet pranë qëllimit të integrimit në BE.

Tutje thuhet se në takim u fol për aspiratat e Kosovës për integrim në BE.

‘Bashkëbiseduesit u pajtuan se ky interes i përbashkët i një Europe sa më të fuqishme, unitare e të bashkuar dhe që garantohet nga fondamenti vleror, është një pikëmbërritje që kërkon kontribut dhe angazhim të gjithashëm e nga të gjitha palët, por që mbetet domosdoshmëri sidomos në situatën ku na vendos kërcënimi që vjen nga pushtimi rus në Ukrainë dhe nga influencat e Rusisë në kontinentin tonë’– thuhet mes tjerash në komunikatë.

Konjufca u zotua para Terras se institucionet do vazhdojnë të punojnë në adresimin dhe avancimin e çështjeve që kërkon rruga për integrim në BE.

Kryeparlamentari foli edhe për marëdhëniet me Serbinë me ç’rast thuhet se theksoi se kërcënimet nga Serbia janë sfidë e madhe e sigurisë dhe stabilitetit në rajon.

Në komunikatë thuhet se Terres shprehu gatishmëri për të asistuar Kosovën në rrugën drejt BE-së.

‘Po ashtu, ai dënoi sulmin në infrastrukturën kritike të Kosovës në kanalin e Ibër-Lepencit, duke thënë se kriminelët duhet të japin llogari përpara drejtësisë”– thuhet tutje në komunikatë.

Raportuesi për Kosovën në PE: Jam këtu për të ndihmuar Kosovën në rrugën drejt BE-së