Konjufca takohet me deputeten suedeze dhe ekspertë të auditimit

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka zhvilluar sot një takim me deputeten suedeze Mia Sydow Mölleby ku temë të diskutimit kishin  “Rritjen e ndikimit të auditimit përmes zbatimit të rekomandimeve”.

Deputetja suedeze Mia Sydow Mölleby e njoftoi kryetarin Konjufca në lidhje me bashkëpunimin e mirë me Zyrën Kombëtare të Auditimit (ZKA) dhe Kuvendin, si dhe ndarjen e praktikave të mira në fushën e menaxhimit të fondeve publike.

Kurse Konjufca, pasi vlerësoi rëndësinë e auditimit, falënderoi mysafirët për gatishmërinë e tyre që të bartin te ne përvojat në këtë fushë.

Në takim ishin edhe këshilltarët e Kurtit, Inguna Sudraba, ish-deputete e Parlamentit të Letonisë, njëherësh ish-Auditore e Përgjithshme dhe eksperte e SIGMA-s, si dhe Dag Levin Sparr, këshilltar i lartë në Zyrën Kombëtare të Auditimit të Suedisë dhe zyrtar ndërlidhës për BE-në – pjesëmarrës të punëtorisë “Rritja e ndikimit të auditimit përmes zbatimit të rekomandimeve”, organizuar këto ditë nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA).

Në takim morën pjesë edhe Vlora Spanca, Auditore e Përgjithshme dhe Bezad Halilaj, Zëvendës Auditor i Përgjithshëm.