
Foto: Kuvendi i Kosovës
Konjufca takohet me delegacionin e Asamblesë Parlamentare të KiE-së, flasin për zgjedhjet
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur në takim delegacionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, të kryesuar nga Petra Bayr.
Konjufca i ka njoftuar mysafirët me ecurinë aktuale politike në vend, në këtë periudhë të fushatës zgjedhore që përfundon me zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 09.02.2025.
Ai ka vlerësuar se ky proces është duke u zhvilluar konform përcaktimit të tij ligjor, në frymë demokratike, si dhe duke i ndjekur e nxitur vlerat e përbashkëta europiane.
“Në takim u diskutua rreth Ligjit të zgjedhjeve në Republikën e Kosovës që e definon këtë proces, si dhe në lidhje me pritshmëritë që këto zgjedhje të vazhdojnë traditën e mirë demokratike, si një vend që aspirojmë zhvillim sa më të madh në këtë drejtim, me aspirata të anëtarësimit në strukturat ndërkombëtare dhe evropiane”- thuhet në njoftimin e datës 17.01.2025.
Konjufca ritheksoi se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për t’u anëtarësuar në Këshillin e Europës, ashtu siç ka qenë dhe vijon të mbetet e angazhuar në ruajtjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të demokracisë në vendin tonë, për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe fuqizimin e sundimit të ligjit.
Konjufca e falënderoi delegacionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për diskutimin e frytshëm dhe iu uroi atyre qëndrim sa më të mirë e sa më produktiv në Kosovë.
Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025.
Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.
Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.
Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.