Konjufca takohet me autoritetet rajonale për mbrojtjen e të dhënave personale

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca është takuar me autoritetet rajonale të institucioneve për mbrojtjen e të dhënave personale të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit i Zi.

Sipas njoftimit të Kuvendit, në takim u diskutua për shkëmbimin e përvojave, thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, sfidat dhe të ardhmen e mbrojtjes së të dhënave personale në përputhje me standardet evropiane.

“Kryetari Konjufca theksoi rëndësinë e kësaj fushe, teksa vlerësoi përpjekjet për rritjen e nivelit të sigurisë përballë zhvillimit të teknologjisë dhe globalizimit digjital të informacionit”, thuhet në njoftim.

Ndërsa është hera e parë që autoritetet e mbrojtjes së të dhënave personale nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi po marrin pjesë në punimet e Konferencës Rajonale për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, organizuar për herë të parë në Prishtinë nga Agjencia për Informim dhe Privatësi e Republikës së Kosovës. ​