Konjufca: Shqipëria dhe Kosova janë një dhe të pandashme
Në shënim të Ditës së Flamurit, Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, zëvendëskryeministrat, Besnik Bislimi e Donika Gërvalla, bashkë me deputetë e ministra, kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, në Kullën e Isa Boletinit në Boletin dhe te Shtatorja e Ismail Qemalit në Prishtinë.
Në një komunikatë të Kuvendit të Kosovës, thuhet se Konjufca, gjatë vizitës së tij në Prekaz ka folur për 28 Nëntorin si dita e krenarisë e vendit tonë dhe se sinonim i saj është familja Jashari.
“28 Nëntori është data më përbashkuese e kombit tonë, është ditë e krenarisë kombëtare dhe sinonimi i saj është sakrifica e madhe e Familjes Jashari. Populli ynë dhe përfaqësuesit e tij i përkulen sakrificës dhe historisë së Familjes Jashari”- citohet të ketë thënë Konjufca në Prekaz, sot më 28.11.2024.
Sipas Konjufcës, kjo datë është festë e trefishtë, ngase siç citohet të ketë thënë, më 28 nëntor të vitit 1997 në Llaushë doli për herë të parë UÇK-ja, dhe e njejta datë përkon me ditëlindjen e Komandantit Legjendar Adem Jashari.
Përveç në Prekaz, në komunikatë thuhet se Konjufca ka vizituar edhe kullën e heroit kombëtar, Isa Boletini në Boletin të Mitrovicës.
“Duke ua uruar të gjithë shqiptarëve festën e 28 Nëntorit, kryetari Konjufca tha se pasardhësit e Isa Boletinit duhet të jenë krenarë që me shumë kujdes dhe nder po e mbrojnë këtë trashëgimi kaq të vlefshme për kombin tonë”- thuhet në komunikatë të Kuvendit.
Gjatë vizitave të tij, Konjufca thuhet të ketë nderuar dhe vlerësuar edhe jetën dhe veprën e Ismail Qemalit duke shtuar se Kosova dhe Shqipëria janë një dhe se përgjatë historisë kanë qenë të bashkuara.
“Aty ku ishte Ismail Qemali, ishte edhe Isa Boletini. Shqipëria dhe Kosova janë një dhe të pandashme. Përgjatë gjithë historisë kanë qenë të bashkuara. Ishin bashkë edhe me 28 nëntor të vitit 1912. Personifikimi më i mirë i këtij bashkimi është binomi i dy heronjve tanë madhështorë”- theksoi kryetari Konjufca.
Konjufca ka përmendur edhe luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për çka tha se falë kësaj ushtrie në krye me Adem Jasharin, ne festojmë të lirë dhe krenarë.
“Në këtë ditë të bekuar, në festën e flamurit tonë kombëtar, e cila mori inspirim nga kthimi i Skënderbeut në Krujë, rrugëtimi heroik dhe historik i shqiptarëve, vazhdoi me shpalljen e pavarësisë në Vlorë, për të vazhduar tutje me çlirimin e Kosovës – falë luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krye me Komandantin tonë legjendar Adem Jashari, urojmë të festojmë gjithmonë të lirë e krenarë”- citohet të ketë thënë tutje Konjufca.