Konjufca: Reshitajt të mos i takojë mëditja sot, qëndroi në seancë 10 sekonda

Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka kërkuar nga administrata e Kuvendit të Kosovës të mos i deponohet mëditja deputetes së AAK-së, Albena Reshitaj për shkak të mospjesëmarrjes së saj në seancë.

Sipas Konjufces, deputetja Reshitaj ka hyrë në seancë dhe ka qëndruar 10 sekonda.

“I propozoj administratës që deputetes Albena Reshitaj, të mos i takojë sot asnjë mëditje, sepse hyri në seancë qëndroi 10 sekonda, doli dhe e vendosi nënshkrimin, kështu që nuk ka kështu”- është shprehur Konjufca.

Seanca e Kuvendit të Kosovës është përballur edhe sot me mungesë kuorumi.

Fillimisht Lëvizja Vetëvendosje përmes një mocioni kërkoi të tërhiqen nga rendi i ditës tri marrëveshje ndërkombëtare për shkak të mungesës së votave të nevojshme për ratifikimin e tyre.

Ky vendim shkaktoi pakënaqësi te partitë opozitare të cilat lëshuan sallën e Kuvendit pas disa minutave në kohën kur kryetari i Kuvendit po priste deputetët të vinin e të merrnin pjesë në votimin e pikave tjera të rendit të ditës.

Pas largimit të opozitës, Konjufcës prapë ju nevojit ta lëshoi zilen për t’i mbledhur deputetët në sallë, kësaj radhe vetëm deputetët e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.

Pas disa minutash pritje, me ardhjen e deputetit nga radhët e komuniteteve, Erxhan Galushi, u bën 61 deputetë të cilët arritën të miratojnë disa pika të rendit të ditës.

Deputetët e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje e miratuan Strategjinë e Energjisë të Republikës së Kosovë për periudhën 2022-2031.

Kuvendi sot ka miratuar në parim edhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përmbajnë procedura të veçanta administrative dhe harmonizimin e tyre me Ligjin për procedurën e përgjithshme administrative, ai për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbrojtjen e konsumatorit si dhe Projektligji për konfliktet administrative.

Në parim janë miratuar edhe Projektligjin për ekspertët gjyqësorë, ai për sistemin qendror të evidencës penale të Kosovës si dhe Projektligji për rregullat e trafikut rrugor.

Shqyrtimi i Propozim-rezolutës për gjendjen në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, të propozuar nga PDK-ja është bartur për një seancë tjetër. Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se shqyrtimi i saj shtyhet në mungesë të propozuesit në seancë.

Pa opozitën miratohet Strategjia e Energjisë 2022 – 2031