Konjufca pret në takim homologun Gashi, flasin për rritjen e bashkëpunimit Kosovë-Maqedoni e Veriut
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, më 25.11.2024, ka pritur në takim homologun nga Maqedonia e Veriut, Afrim Gashi.
Konjufca ka shprehur bindjen se takimet dhe angazhimi i përbashkët i shërbejnë “rritjes së bashkëpunimit të shkëlqyer midis Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut”, duke i konsideruar ato si përpjekje për më të mirën e qytetarëve.
“Në këtë takim, kryetari Konjufca dhe kryetari Gashi diskutuan aspekte të ndryshme të parlamentarizmit dhe folën për mundësitë e rritjes së bashkëpunimit midis institucioneve tona legjislative. Gjithashtu, biseduan edhe për çështje të tjera të interesit të përbashkët, duke përfshirë rrugën e integrimeve evropiane, zhvillimin ekonomik, tregtar dhe stabilitetin e rajonit tonë”- thuhet në njoftim.
Konjufca tutje ka shtuar se vlerat dhe synimet e përbashkëta janë ato që qëndrojnë midis raporteve të shkëlqyera shtetërore.
Ndërsa, kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi e falënderoi kryekuvendarin Konjufca për pritjen dhe shprehu gatishmërinë e plotë për të avancuar sa më shumë me projekte dhe punë të përbashkëta, të cilat çojnë në drejtim të përmbushjes së synimeve dhe interesave të vendeve tona.
Konjufca në këtë takim ishte i shoqëruar nga nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci dhe ambasadori Florian Qehaja.