
Foto: Kuvendi i Kosovës
Konjufca pret në takim ambasadorin britanik, flasin për situatën paszgjedhore në Kosovë
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glaku Konjofca ka zhvilluar një takim me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves në ambientet e Kuvendit.
Në këtë takim, Konjufca me ambasadorin Hargreaves diskutuan për çështjen e sigurisë dhe stabilitetit rajonal, por edhe për ato në nivele më të gjera – siç njofton faqja zyrtare e Kuvendit të Kosovës.
Pa u diskutuar nuk mbeti as çështja “rreth situatës paszgjedhore në Republikën e Kosovës, nga e cila vijohet me formimin e Qeverisë dhe legjislaturës së ardhshme, duke marrë përsipër synimet dhe interesat e vendit tonë.” – thuhet në njoftim.
Tutje, Konjufca shprehu falënderimet e tij për angazhimin e Mbretërisë së Bashkuar, e cila vazhdon të mbetet “një aleat kyç për Kosovën, në aspiratat e saj të integrimeve dhe zhvillimit të gjithanshëm, e në të njëjtën kohë edhe në rrafshin gjeopolitik.”
Pas Zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, ambasadorët e vendeve të QUINT-it në Kosovë kanë zhvilluar takime edhe me liderët e partive opozitare.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar rezultatet preliminare të kandidatëve për subjektet politike. Sipas përditësimit të fundit që është bërë më 20.02.2025, në 11:42h, rezulton se janë numëruar 97.55% e votave.
Në këto rezultate nuk përfshihen: votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat nga votimi jashtë Kosovës – numërimi i të cilave sipas KQZ-së do të bëhet gjatë ditëve në vazhdim në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
Në bazë të rezultateve të fundit preliminare të përditësuara në orën 09:46, më 20.02.2025, në uebfaqen e KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) është e para me 40.80%, apo 342,281 vota.
Partia e dytë me më së shumti vota është Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 22.03%, apo 184,811 vota.
E treta është renditur Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 17.63%, apo 147,888 vota.
Koalicioni i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me Nismën, Demokratët, Intelektualët dhe Listën Ideal kanë marrë 7.46% të votave, apo 62,588 vota.
Lista Serbe është partia e pestë me 4.61%, apo 18,942 vota.
Më 09.02.2025, Kosova mbajti Zgjedhjet e rregullta parlamentare.