Konjufca pranon urimet për postin e Kryekuvendarit nga homologu çek

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka pranuar urimet për postin e të parit të legjislativit nga Kryetari i Senatit të Parlamentit të Çekisë, Jaroslav Kubera.

“Shkëlqesia juaj, më lejoni t’ju përgëzoj me rastin e zgjedhjes tuaj në postin e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, personalisht, si dhe në emër të të gjithë anëtarëve të Senatit të Parlamentit të Republikës Çeke’, thuhet në telegramin e urimit.

“Më lejoni t’ju uroj shumë suksese gjatë kryerjes së këtij funksioni të rëndësishëm. Unë besoj se marrëdhëniet midis organeve tona ligjvënëse do të vazhdojnë të zhvillohen në frymë miqësore në të ardhmen”, thuhet tutje në urim.

Tutje, kryeparlamentari i Çekisë i ka uruar vit të suksesshëm Glauk Konjufcës.

Konjufca u zgjodh në krye të Kuvendit të Kosovës më 26 dhjetor me 75 vota për.