Konjufca pranon detyrën e ministrit të MPJ-së, zotohet për punë e bashkëpunim

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli gjatë ditës së sotme i ka dorëzuar postin ministrit të ri Glauk Konjufca.

Konjufca u prit në hapësirat e MPJ-së, nga Pacolli, ku pjesëmarrës ishin edhe drejtorët e punëtorët e ministrisë.

Pacolli para se ti dorëzonte mandatin, i tregoi Konjufcës për punët që janë kryer në ministrinë që udhëhoqi.

“Tani udhëheqim me tri iniciativa rajonale dhe besoj se është bërë një punë e mirë duke i falënderuar edhe drejtoret që udhëheqin me këto organizata. Ka një mori ftesash që janë këtu drejtuar mua, normalisht ato ju kalojnë tani juve si ministër i ri dhe unë mbetem në Kosovë apo kudo që jam, gjithmonë i gatshëm të jem aty nëse nevojitet mbështetja ime. Duke u falënderuar po filloj, së pari, në vitet 2017-2018 kemi bërë një raport të punës. Ky raport është ilustruar me veprime fotografi e data. Pse fotografitë janë të rëndësishme në diplomaci se duhet me i kujtu fytyrat e njerëzve sepse ka shumë herë ka takime ku ka fytyra të reja e din se i ke pa i ke taku por nuk din me i klasifiku dhe jam munduar që një gjë të tillë ta bëj deri në fund të vitit 2018”, tha Pacolli.

Madje Pacolli, i prezantoi edhe një raport tjetër me njerëz të tjerë të cilët tha se do t’i duheshin Konjufcës.

“Raporti tjetër është nga viti 2019 deri më tani po ashtu me njerëz me data dhe me atë që është diskutuar, pra janë të shkruara këtu”, shtoi ai.

Tutje Pacolli shtoi edhe se ka pasur vështirësi dhe presion nga ana e partive politike në cështjet e zgjedhjes së ambasadorëve.

“Gjithashtu është edhe një raport i shkurtër i punës që kemi bërë, e sidomos është theksuar tek diplomatët tanë dhe iniciativat rajonale. Ne përherë të parë nga ekzistenca e kësaj ministrie, kemi arritur që ambasadorë të kemi më tepër se politik. Duhet të u them se nuk ka qenë lehtë për mua të punosh dhe të veprosh me një qeveri multi- partiake ku partitë kanë dashtë që të kenë pjesëmarrjen e tyre apo parcelën e tyre edhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe presioni ka qenë jashtëzakonisht i madh”, tregon Pacolli tutje deri sa i tregonte punë që i ka lënë tani ministrit të ri Glauk Konjufca.

Deri sa po dëgjonte ato çfarë po i thoshte Pacolli, Konjufca pati një problem me karrigen të cilën ishte ulur.

“Edhe kjo ndodh”, ia ktheu Pacolli.

Pas përfundimit të fjalimit të Pacollit, fjalën e mori edhe Konjufca.

Ai fillimisht përshëndeti mikpritjen e stafit të MPJ-së ndaj tij.

“Së pari ndjehem i gëzuar që ndodhem në MPJ dhe jam shumë i nderuar që po jam i mirëseardhur nga Pacolli, vetë ky akt i dorëzimit të një përgjegjësie aq të lartë është një tregues për Kosovën se shteti po maturohet e po pjekët sepse kemi një tranzicion dhe kalim të përgjegjësive nga një person në peon tjetër. Ndryshimi demokratik i qeverive, ndodh në çdo vend të botës”, tha ai.

Tutje shtoi se me ish-ministrin Pacolli ka pasur një bashkëpunim demokratik.

“Me Pacollin kemi pasur një përvojë të frytshme të bashkëpunimit, duke qenë edhe kryetar i GP dhe anëtar i komisionit, kemi pasur një bashkëpunim meqenëse ashtu e kërkonte edhe demokracia dhe komisioni për punë të jashtme ka qenë në vazhdimësi në përpjekje të koordinimit dhe bashkëpunimit me Ministrinë e Punëve të Jashtme”, tha ai.