Konjufca po qëndron në Amerikë, takon emisarin Escobar dhe flasin për Asociacionin

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca po qëndron për vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, derisa sot ka zhvilluar takim me Përfaqësuesin Special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, me të cilin kanë diskutuar për marrëveshjen e Ohrit.

“Në takimin përmbajtjesor me z.Escobar diskutuam për zhvillimet aktuale politike në vend dhe rajon, për procesin e dialogut dhe marrëveshjen e Ohrit, si dhe hapat e mëtejmë  për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë” – ka shkruar Konjufca në Facebook.

Sipas Konjufcës në Kosovë nuk mund të ketë asociacion që cenon sovranitetin e vendit, për çka ai ka marrë garanci edhe nga Esobar.

“Ritheksuam qëndrimin e shtetit të Kosovës, por edhe garantimin e Departamentit të Shtetit, se nuk mund të formohet kurrfarë asociacioni apo ndonjë mekanizëm tjetër që cenon sovranitetin, pavarësinë, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës” – ka shkruar tutje Konjufca.

Ai tha se me emisarin amerikan kanë ndarë pikëpamje të njëjta që të vazhdojnë të punojnë së bashku për agjendën e përbashkët të anëtarësimit të Kosovës në strukturat euroatlantike dhe organizata ndërkombëtare, e po ashtu edhe për avancimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në takim kanë qenë i pranishëm edhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Washington DC, Ilir Dugolli dhe Shefi i Stafit të Konjufcës, Ilir Kërçeli.

Më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian kanë arritur dakordim për ankesin e zbatimit të planit të Bashkimit Evropian.

Ky plan nuk është nënshkruar si marrëveshje nga palët, për çka kryeministri Albin Kurti ka thënë se pala serbe nuk ka qenë e gatshme.

BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara janë deklaruar se pavarësisht se nuk është firmosur, ajo është marrëveshje e obligueshme për palët.

Marrëveshja, prej 11 nenesh, nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë.

Megjithatë, dokumenti kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Dokumenti kërkon, gjithashtu nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, e cila është kërkuar me ngulm si nga Serbia ashtu edhe nga ndërkombëtarët.

Kurti: Marrëveshja e Ohrit nuk sjellë autonomi për serbët, sjellë njohjen defacto nga Serbia