Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, Foto: KALLXO.com

Konjufca: Përpjekjet e Vuçiq nuk do të funksionojnë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka folur lidhur me zhvillimet e sigurisë në vend.

Ai tha se presidenti serb Aleksandar Vuçiq, nuk mund ta dërgoj Republikën e Kosovës në zgjedhje e në destabilizim.

“Nuk kisha pas dëshirë me mendu që Aleksandar Vuçiq mundet me çu në zgjedhje Republikën e Kosovës kur të dojë. Këtu të jemi të qartë pra nëse ky ka qenë qëllimi i Serbisë dhe Vuçiq që të shkaktoj në Kosovë zgjedhje apo destabilizim mendoj që kjo jo vetëm që nuk është e mundshme por besoj që edhe gjithë spektri politik në Kosovë është i bashkuar që kjo është e pa lejueshme dhe pa tolerueshme”- tha ai.

Konjufca tha se shpreson që edhe me opozitën ta kenë një pajtueshmëri që kjo do të ishte cenim serioz i themeleve të funksionalitetit të shtetit të Kosovës.

“Nuk e përjashtoj që Vuçiq e zyrtarët serb mund të kenë qëllime të tilla. Por përballë qëllimeve të tilla ne do ta kemi një konsensus kombëtar elementar që mos të bien pre e këtyre përpjekjeve. Sa i përket situatës së sigurisë gjithçka që po shohim këto ditët e fundit sa i përket reagimit, bllokadave përpjekjes për sabotim të gjitha janë një orkestrim në të cilat dirigjenti i padiskutueshëm është Aleksandër Vuçiq dhe Serbia”- tha Konufca.

Ai tregoi se këto nuk kanë fare të bëjnë me një reagim spontan të popullatës serbe në Kosovë sepse sipas tij edhe serbët e komunave tjera dhe veprimet e tyre mund të krahasohen me veprimet në veri.

“Çfarë targa kanë serbët e Graçanicë, Kllokot, jo vetëm serbet e komunave që jetojnë më shumicë serbe por edhe serbët e tjerë që jetojnë në komuna të tjera. I keni targat e RKS e dokumentacionet që i pranojnë, funksionojnë totalisht me ligje të RKS”- tha ai.

Konjufca ka përmendur se situata e sigurisë në Kosovë është në kontroll.

“Policia e RKS është e pranishme në atë pjesë të territorit sipas ligjeve edhe në kufi edhe në dogana të cilat janë pikërisht pika ku hyhet në RKS në shtetin tonë. Përpjekja e Vuçiq e përkthyer politikisht, ka fillu në ditën e djeshme. Mendoj që arsyeja e vërtetë është me mbuluar atë që ka qenë thelbësore ditën e djeshme. Ajo që ka qenë është që Republika e Serbisë që ne nuk e njohim zyrtarisht e ka refuzuar planin franko – gjerman unë mendoj që gjitha këto Serbia po i orkestron me fillu fazë të re politike në Kosovë”- tha ai.

Konjufca tha se i sigurojnë qytetarët e Kosovës se kjo nuk do të ndodhë.

“Kosova nuk dorëzohet, Kosova i realizon ligjet e veta sundimin e ligjit Kushtetutën e vet. Përpjekjet e Vuçiqit që me i dhanë drejtim tjetër procesit politik edhe dialogut, përmes barikadimit, dorëheqjeve, sfidimit të situatës së sigurisë ju siguroj që do të dështojnë. Përpjekja e tij është ta krijoj një Republikë serbe në Republikën e Kosovës”- shtoi Konjufca.

Konjufca e ka ftuar spektrin politik të jenë të bashkuar në qëllime së paku.

Konjufca për dorëheqjen e deputetëve të LS: I garantoj qytetarët që rendi kushtetues me këto dorëheqje nuk preket