Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca. Foto: Kuvendi i Kosovës

Konjufca për çështjen e veriut: Po të përfundonte në dialog, Kosova do të përfundonte shumë keq

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, të hënën më 16.09.2024, ka folur për veriun e vendit.

Në ‘Ditën e Demokracisë’, ai ka thënë se pas tërheqjes së të punësuarve serbë nga komunat veriore, Kosova ishte para dy opsioneve.

“Po të kishte qenë opsioni i vjetër politik në Kosovë, do të kishin përfundu në negociata, por kjo nuk ka qenë opsioni jonë. Opsioni jonë është kushtetushmëria- me çdo kusht” – ka deklaruar Konjufca.

Kushtetushmëria, siç ka thënë ai,  është opsion qoftë edhe me përdorimin e organeve të ligjit.

Sipas gjykimit të tij, nëse pas ‘dhunës, kushtëzimeve dhe imponimeve’ veriu do të përfundonte në negociata, Kosova do të përfundonte ‘shumë keq’.

Kosova po kërcënohet nga presidenti serb Aleksandër Vuçiq, por sipas Konjufcës, kjo nuk u bën përshtypje autoriteteve në Kosovë.

“Ne nuk frikësohemi, nuk shqetësohemi, sepse në atë pjesë të vendit janë institucionet e Kosovës dhe është shansi i humbur i qytetarëve që kanë mendime të tjera, për me marr pjesë në procesion politik dhe me deshtë me qenë bashkëpjesëmarrës në procesin politik” – deklaroi Konjufca.

Kryeparlamentari i Kosovës konsideron se tashmë ‘vendi ka marr një drejtim të ri’.

Strukturat paralele, sipas tij, gradualisht po vazhdojnë të hiqen nga Kosova.

‘Substanca e tyre, tashmë është hequr. Kanë mbetur edhe disa të tjera, mirëpo në vazhdimësi nuk kemi pse të ngutemi shumë, sepse është në rrugë të mbarë ky proces, i cili ka qenë i domosdoshëm për konsolidimin e kushtetushmërisë, shtetësisë së Kosovës dhe sovranitetit në atë pjesë të vendit” – ka shtuar Konjufca.

Dialogu, sipas tij, ‘ka vdekur’.  Deri te ky konkludim ai ka thënë se ka ardhur më herët duke u bazuar në strukturën aktuale, apo ‘set up’-it, siç u shpreh ai në gjuhën angleze.

Aktakuzën e rastit të sulmit në Banjskë në apektin profesional, Konjufca refuzoi ta komentojë. Në aspektin politik tha se ‘ka goditur në shenjë’, kjo për shkak se synimi i grupit terrorist ishte aneksimi i një pjese të Kosovës.

‘Grupi terrorist e ka pas mbështetjen e plotë të Serbisë, kjo është pretendimi i dytë i aktakuzës. Pra e para aneksimi, e dyta qëndrimi prapa i Serbisë dhe e treta dhe e katërta janë tentimi për me shkatërru rendin kushtetues dhe sigurinë nacionale të Republikës së Kosovës. E katërta ishte shumë mirë e argumentuar edhe aspekti i kriminalitetit shumë të madh financiar që ka bërë ky grup terrorist duke shpërlarë para dhe duke vendos këto shpërlarje të parave dhe keqpërdorimit të tenderëve në financimin e këtij grupi terrorist” – tha Konjufca.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, më 13 shtator kërkoi shpalljen e zgjedhjeve të reja lokale në veri të Kosovës, kthimin e serbëve në Policinë e Kosovës dhe gjyqësor, si dhe tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga rajoni i veriut.

Para adresimit të tij, pati reaguar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke thënë se “Kosova është më e fortë se kurrë më parë dhe nuk trembet nga kërcënimet”.

Qeveria serbe urdhëron zbatimin e masave për Kosovën

Rasti Banjska: Aktakuzë për 45 persona

Dosja për “rastin Banjska”: Radoiçiqi dhe grupi i tij ishin të gatshëm për ta sulmuar Policinë në Leposaviq

Komunikimet mes grupit terrorist në Banjskë: “Tash mbërritën, dhashtë Zoti mos të përshkallëzohet situata

 

Dosja e Prokurorisë për rastin e Banjskës: Fillet e organizimit të grupit terrorist datojnë nga viti 2021

BE-ja e mirëpret ngritjen e aktakuzës për rastin e Banjskës

Aktakuza për ‘Banjskën’ thot se Millan Radoiçiq siguroi para që nga viti 2017 për blerje të armatimit

BE-ja e mirëpret ngritjen e aktakuzës për rastin e Banjskës