Konjufca për Asociacionin: BE-ja s’mund t'ia marrë kompetencat e as të vendosë për Kosovën 

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, e cila u mbajtë më 28.10.2024, kryeparlamentari Glauk Konjufca ka folur për “presionin e BE-së” lidhur për dërgimin në Kushtetuese të draftit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. 

Ai është shprehur se Bashkimi Europian nuk ka të drejtë që ta propozojë draftin e asociacionit ne emër të Kosovës, ngase sipas tij, në këtë mënyrë shkelen të drejtat e Kosovës si shtet i pavarur. 

“Nuk mundet në vend të Kosovës me e propozu draftin e asociacionit Bashkimi Europian. Kjo i bie që Bashkimi Europian grabitë një kompetencë shtëtërore të Kosovës, një kompetencë për të cilën edhe vetë Brukseli në negociatat që i ka organizu e ka të shkruar në njërën prej marrëveshjeve”- ka thënë Konjufca. 

Sipas tij, Kosovës i garantohet e drejta të paraqesë një draft-status  të asociacionit, pavarësisht se e pranon që Kosova është vonuar për ta paraqitur një draft të tillë deri më tash. 

“Nashta ne jemi vonu, por vonesa nuk mundet me ja marrë kompetencën Kosovës”- u shpreh Konjufca. 

Për këtë krekuvendari e ka quajtur diskuriminuese qasjen e BE-së ndaj Kosovës

“Me ia imponu Kosovës në këtë mënyrë, me thanë: ‘ky është dokumenti edhe vetëm ky, 20 faqësh edhe nuk ka tjetër, vetëm ky është dokumenti që do të shkoj në Gjyaktën Kushtetuese’, unë mendoj që jo që nuk është fer ndaj Kosovës, por mendoj që është një qasje  shumë diskriminuese e Bashkimit Europian, i cili Kosovën e trajton si jo shtet”- ka thënë Konjufca. 

Qasjen e BE-së ndaj Kosovës, Konjufca e quajti “merre ose leje” për çka thotë se Kosovës i garantohet e drejta e saj për ta propozuar një draft të asociacionit dhe për ta quar në Kushtetuese me të gjitha  ligjet ndëkombëtare. 

Konjufca e pranon se në këtë drejtim Kosova ka pasur zvarritje sa i përket draftit të asociacionit, po se sipas tij kjo nuk i jep kompetenca Bashkimit Europian për ta hartuar vetë këtë draft. 

“Kosova duhet ta mbrojë të drejtën e vet deri në fund. Cila është e drejta e vet? Me u ulë bashkë me europianë edhe me qartësu deri në fund kush e ka këtë kompetencë: a e ka Kosova, a e ka Bashkimi Europian? Unë mendoj që e ka Kosova”- ka thënë ndër të tjera Konjufca pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit. 

Ndihmës Sekretari amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien tha më 21.10.2024 se pret nga Kosova që ta dërgojë projekt statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa theksoi se ky mekanizëm nuk krijon një qeverisje apo një shtresë tjetër të pushtetit.

Edhe i dërguari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, gjatë qëndrimit në Kosovë, më 02.10.2024, ka folur për planin e zbatimit të Marrëveshjes Bazë për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas Sarrazin-it, hapi i radhës në planin implementues është krijimi i draftit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 05.06.2024 teksa ka folur për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ka thënë se Serbia po kërkon të zbatohet Marrëveshja e vitit 2013, e cila, sipas tij, është shkelur nga Serbia 60 për qind.

Ai ka thënë se Kosova dërgon në Gjykatë Kushtetuese vetëm dokumente vendore.

Ndërsa ka sugjeruar se dokumentet ndërkombëtare si drafti i propozuar nga i dërguari i BE-së, Mirosllav Lajçak, të dërgohen në Këshill të Europës apo Komision të Venedikut.